Reperi i njohur Big Basta tregoi me emocione të forta lidhjen e veçantë të miqësisë që ka ndarë me këngëtarin e ndjerë Shpat Kasapin, duke u rikthyer tek kujtimet e para 14 viteve në “Dancing with the Stars” në Vizion Plus.
I ftuar në Living Day me moderatoren Brunilda Lahe, ai tregoi se ka marrë lajmin e ndarjes nga jeta të mikut të tij përmes një të afërmi dhe fillimisht nuk e ka besuar.
Big Basta e përshkroi Shpatin si një njeri të mirë, të sinqertë dhe gjithmonë pozitiv, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në fillimet e lidhjes së tij me Vesën.
Ai u shpreh se humbja e Shpat Kasapit është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët e tij, por edhe për gjithë artin shqiptar.
Lahe: E di se keni qenë shumë miq me Shpat Kasapin. Një ndër ato eksperiencat që ju ka lidhur veçanërisht fort me njëri-tjetrin ka qenë Dancing with Stars, 14 vite më parë.
Big Basta: Hera e fundit që e takova ishte para se të flitej për të hyrë tek Ferma VIP.
Lahe: Shpat Kasapi ka qenë një ndër ata emra që ka qarkulluar dhe është përfolur se do të bëhej pjesë e kastit të edicionit të dytë të Ferma VIP.
Big Basta: Gjithmonë kemi pasur një mendim mjaft pozitiv për njëri-tjetrin. Shpati gjithmonë ka qenë shumë i sinqertë dhe gjithmonë përcillte energji shumë të mirë, qoftë në skenë, qoftë edhe mes kolegëve. Shpati nuk dëgjoje kurrë që të fliste keq për dikë. Shpati ishte shumë i veçantë. Nuk u ankohej kurrë për jetën e tij, për problemet që mund të kishte. Gjithmonë ka qenë i gatshëm të ndihmonte, të suportonte. Për mua ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse edhe në atë kohën e lidhjes sonë ishte një ndihmë shumë e madhe.
Lahe: Ka qenë Shpat Kasapi personi që ju ka nxitur dhe ju ka ndihmuar që ju të dy të lidheshit bashkë?
Big Basta: Shpati ishte aty me ne gjithë kohën, na bënte shoqëri dhe shpesh na caktonte takimet. Thoshte: “Hajde se jam këtu, jam me Vesën…”. Nuk e di, edhe unë, edhe Vesa, kishim një respekt të jashtëzakonshëm, një mendim të jashtëzakonshëm për Shpatin. Mua më vjen keq që jam i ftuar të flas për të në këtë rast, por ishte lajm shumë i dhimbshëm, lajm jashtë mase i dhimbshëm.
Lahe: Si e mësove lajmin, Big?
Big Basta: Një i afërmi im më shkroi dhe ai ma dha lajmin. Nuk e besova. U futa nëpër portale të shikoja. E vërtetë, prapë më duket e pabesueshme. Ndodhi në mëngjes, prapë më duket e pabesueshme.
Lahe: Hera e fundit që keni biseduar bashkë?
Big Basta: Hera e fundit që kemi biseduar bashkë ka qenë para se të futesha tek Ferma. Para se të futesha tek Ferma, Shpati pati hapur një biznes aty pranë zonës ku ndodhet Vizion Plus. Edhe i thashë: E kam parë emrin tënd tek portali, mos je aty? Jo tha, nuk e di, nuk e di, domethënë ma mbajti kështu evaziv. Por ajo ka qenë hera e fundit, më vonë pastaj nuk jemi rastisur. Ai ishte një artist i madh. Shqiptaria humbi dhe një njeri shumë të mirë, mbi të gjitha. Ishte njeri i jashtëzakonshëm.
