Dikur ishte një ndër yjet e Juventusit, por sot të ardhmen e shikon diku tjetër. Douglas Costa, ish-futbollisti i Juventusit, tanimë pjesë e Sidnej FC në Australi, ka zbuluar se ka hapur një adresë në platformën për të rritur Onlyfans dhe do të publikojë atje materiale ekskluzive për fansat e tij.
“Kam vendosur t’i bashkohem “OnlyFans” pasi jam i bindur për besueshmërinë e kompanisë dhe potencialin e saj. Kjo zgjedhje ka gjithçka që duhet për të qenë interesante. Kjo faqe kërkon atletë që të jenë ambasadorë të markës dhe kjo ka një impakt të madh në treg. Për këtë arsye jam më shumë se i lumtur që bëhem pjesë, sidomos si një prej pionierëve në segmentin e futbollit”, - tha Douglas Kosta për vendimin që ka marrë.
"Shpresoj që ky bashkëpunim të zgjasë në kohë dhe të jem në gjendje t'i kënaq fansat e mi me përmbajtjen", - tha 33-vjeçari, kur njoftoi lajmin përmes rrjeteve sociale.
Fotot dhe videot e ngarkuara deri tani e portretizojnë atë në situata të jetës së përditshme që lidhen me sportin.
Edhe pse Onlyfans është kryesisht i famshëm për përmbajtjet e dedikuara për të rriturit, qëllimi i futbollistit është të ndajë përmbajtje ekskluzive që tregojnë historinë e jetës së tij të përditshme dhe një ditë të bëhet një ambasador i kompanisë në mbarë botën. Costa ka veshur fanellën e Bayern Munichut nga viti 2015 deri në vitin 2017, duke fituar dy kampionate, një Kupë dhe një Superkupë të Gjermanisë. Më pas kaloi në uniformën bardhezi të cilën e mbajti deri në vitin 2020. Në këto tre vite ai kontribuoi në fitoren e tre kampionateve italiane, një Kupë dhe një Superkupë Italie.
Faqja e cila është bërë e njohur për publikimin me pagesë të përmbajtjeve erotike dhe pornografike, “OnlyFans”, ka nisur të rekrutojë persona të njohur që të hapin kanalet e tyre. Synimi i saj është që të rivalizojë me rrjetet e tjera sociale si YouTube dhe TikTok sa i përket materialeve që nuk janë me “pullë të kuqe”. Këngëtarë të njohur, aktorë e tashmë dhe futbollistë kanë filluar të bëhen “ambasadorë” të saj dhe pjesë e “OnlyFans” është bërë edhe një emër shumë i njohur si Douglas Kosta.








