
Para se të ngjitej në skenën e madhe të Eurovizionit, muzika ka qenë pjesë e pandashme e jetës së Beatriçe Gjergjit një pasion i trashëguar brez pas brezi në familjen e saj. Siç rrëfen i ati, Mario Gjergji, “muzika ka qenë gjithmonë aty, ka kaluar natyrshëm nga një brez në tjetrin”.
I ftuar në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, Mario ndau me publikun kujtime të hershme nga fëmijëria e Beatriçes, duke treguar se talenti i saj për kompozim ishte i dukshëm që në moshë të vogël. E rritur në Itali dhe e rrethuar nga ndikimet e muzikës italiane dhe angleze, Beatriçe kishte nisur të formësonte stilin e saj artistik që në hapat e parë.
Megjithatë, si çdo prind që ruan me fanatizëm lidhjen me rrënjët, Mario nuk fshehu frikën që kishte ndjerë në fillim, se vajza e tij mund të shkëputej nga identiteti shqiptar.
Por koha tregoi të kundërtën: Beatriçe jo vetëm që nuk u largua nga trashëgimia e saj kulturore, por e ktheu atë në boshtin e krijimtarisë së saj muzikore.
“E rritur me këngë shkodrane, ia injektoja sa më shumë, por nuk i pëlqente shumë muzika jonë… Kishte një zë të bukur, por më dukej sikur po më dilte ‘nga shinat’,” u shpreh babai i këngëtares.
“Muzika është në gjak tek ne,” thotë Mario me krenari. “Në familjen Gjergji këndojnë të gjithë… thoshin dikur me shaka: tek ata këndojnë edhe pulat. Ne hamë bukë me muzikë.”
Sot, Beatriçe Gjergji është bërë një simbol i fuqishëm i identitetit artistik shqiptar në diasporë. Jo vetëm që i është rikthyer rrënjëve të saj muzikore, por edhe përfaqëson Shqipërinë në një nga skenat më prestigjioze të muzikës ndërkombëtare — Eurovision Song Contest.







