MAGAZINË /

Hollywood, interes për të xhiruar filma në Shqipëri

Grupi është sjellë në Shqipëri nga Philip Gilpin Jr, CEO i Catalyst Story Institute.

Shkruar nga Versus

Hollywood, interes për të xhiruar filma në Shqipëri

Një grup i përfaqësuesve të mëdhenj të Hollywood-it, Warner Brothers, Disney, Paramount Amazon, Universal, HBO, i quajtur “FamTourAlbania”, po viziton nga afër vendndodhjet dhe mundësitë gjeografike që ofron Shqipëria për xhirime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare.

Grupi është sjellë në Shqipëri nga Philip Gilpin Jr, CEO i Catalyst Story Institute. Në një nga takimet në agjendën e tyre në Shqipëri, me anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, biznese potenciale, dhe profesionistë të fushave të ndryshme, grupi mori një pamje 360 gradë të peisazhit shqiptar.

“AmCham Albania e ka në objektivin e vet themelor forcimin e lidhjeve ekonomike me SHBA dhe promovimin e investimeve amerikane që kontribuojnë në rritje të qëndrueshme dhe inovacion,” – tha gjatë përshëndetjes së tij Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane, Neritan Mullaj.

Turi i emrave të mëdhenj të industrisë së filmit nuk është vetëm një shans për industrinë kreative, por një mundësi për të prezantuar njerëzit dhe potencialet e tyre, kulturën dhe mikpritjen tonë, u shpreh z. Mullaj.

Të njëjtin këndvështrim por e parë nga syri i një investitori, ndau dhe Presidenti i Dhomës Amerikane Grant Van Cleve i cili inkurajoi përfaqësuesit e industrisë së filmit, të shikojnë mundësinë e investimit në një vend ku po ndodhin ndryshime drastike, pasi Shqipëria ka potencialin të bëhet një pjesë e gjallë e këtij ekosistemi, duke ofruar peizazhe unike, kosto konkurruese dhe një bazë gjithnjë në rritje të talenteve kreative dhe teknike.

Për këtë të fundit ka filluar punën dhe ka plane ambicioze Catalyst Story Institute, i cilisapo kainaguruar Tirana Training Institute.

Qendra e trajnimit do të jetë e dedikuar për përgatitjen e një fuqie punëtore të kualifikuar për të gjitha pozicionet e punës që kërkohen nga industria e filmit dhe ajo kreative. Kjo është më shumë se një investim në infrastrukturë – është një investim në njerëz, në talente, dhe demostron kapacitetin e Shqipërisë për tu vendosur në hartën e ekonomisë globale kreative.

Industria globale e filmit dhe televizionit gjeneron qindra miliarda dollarë çdo vit, jo vetëm përmes përmbajtjes që shohim në ekrane, por edhe përmes rrjeteve të gjera të bizneseve lokale që mbështesin prodhimin – duke filluar nga ndërtimi dhe mikpritja, e deri te teknologjia dhe dizajni.

“Edhe pse industria e filmit nuk është në sektorët tanë prioritarë, ndikimi që sjell na bën të vëmendshëm për infrastrukturën ligjore dhe lehtësitë që do të ketë nevojë – tha gjatë përshëndetjes së saj, Laura Plaku, Drejtore e AIDA.

Grupi i Hollywood në turin e tyre disaditor në Shqipërisë do të kenë mundësinë të vizitojnë nga afër vendndodhjet dhe mundësitë gjeografike që ofron Shqipëria për xhirime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare, por dhe të mësojnë për historinë dhe mikpritjen shqiptare./Monitor

Poll