MAGAZINË /

Kosova shtang Suedinë, triumfon dhe 'ringjallet' në garën për Botërorin 2026!

Të hënën mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 2:0 ndaj Suedisë, përfaqësueses së mbushur me yje të Premier Leagues

Shkruar nga Versus

Kosova shtang Suedinë, triumfon dhe 'ringjallet' në

Prishtina është ndezur nga emocionet! Kosova ka reaguar në mënyrën më të mirë të mundshme pas humbjes ndaj Zvicrës, duke mposhtur Suedinë e yjeve të Premier League me rezultat bindës 2:0, të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Para një stadiumi të stërmbushur dhe një atmosfere elektrizuese, “Dardanët” e Franco Fodës dhanë një paraqitje fantastike, duke rikthyer shpresën dhe besimin për një kualifikim historik në Kampionatin Botëror 2026.

Rexhbeçaj-Muriqi, dyshja e artë!

Në minutën e 26-të, Elvis Rexhbeçaj hapi serinë e golave pas një kundërsulmi të shpejtë. Ishte përpjekja e dytë ajo që përfundoi në rrjetë, por entuziazmi në tribuna shpërtheu menjëherë.

Në minutën e 42-të, ishte radha e liderit të pakontestueshëm, Vedat Muriqi, për të shtuar avantazhin. Pas një aksioni të bukur dhe një asisti të shkëlqyer nga Albion Rrahmani, sulmuesi shënoi golin e 32-të me fanellën e Kosovës, duke vazhduar të thellojë epërsinë si golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses.

Pavarësisht mungesave të shumta; kapitenit Amir Rrahmani, yjeve si Zhegrova, Rashica, Hadërgjonaj dhe Sahiti, Kosova nuk u ndal. Çdo lojtar dha maksimumin dhe formacioni i zgjedhur nga Foda funksionoi perfekt.

Në fushë u shfaqën emra të rinj, energjikë dhe të motivuar, si Ilir Krasniqi, Dion Gallapeni, ndërsa në pjesën e dytë debutoi edhe Veldin Hoxha, së bashku me Fisnik Asllanin, Muharrem Jasharin e Lindon Emërllahun.

Nga ana tjetër, Suedia u paraqit me yje të mëdhenj, përfshirë Gyokeresin e Arsenalit, Elangën e Newcastle dhe Isakun e Liverpool, por milionat nuk i ndihmuan dot – sepse zemra dhe grinta e Kosovës ishte më e madhe!

Një hap i madh drejt ëndrrës
Fitorja ndaj Suedisë është padyshim një nga më të rëndësishmet në historinë e Kosovës. Me këtë triumf, “Dardanët” ngjiten në vendin e dytë në grup, pas Zvicrës dhe para Suedisë e Sllovenisë.

Ndeshja e radhës?

Një tjetër finale në Prishtinë! Kosova rikthehet në “Fadil Vokrri” më 10 tetor, për një përballje tepër të rëndësishme ndaj Sllovenisë. Me entuziazmin që po ndërtohet dhe me mbështetjen e zjarrtë të tifozëve, kjo përfaqësuese është gati të shkruajë histori. /VERSUS /

Poll