MAGAZINË /

Lamtumirë Shpat Kasapi! Përcjellja e dhimbshme e këngëtarit 40 vjeçar për në banesën e fundit

Jo vetëm Tetova, por e gjithë Shqiptaria i jep lamtumirën këngëtarit të dashur që u nda nga jeta papritur si pasojë e një arresti kardiak

Shkruar nga Versus

Lamtumirë Shpat Kasapi! Përcjellja e dhimbshme e këngëtarit
Në Tetovë sot i jepet lamtumirën e fundit këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak. Lajmi i hidhur ka prekur thellë komunitetin artistik dhe publikun në gjithë trevat shqiptare, ndërsa qyteti pritet të mbledhë sot një numër të madh adhuruesish dhe bashkëqytetarësh për t’i bërë nderimet e fundit artistit.

Sipas njoftimit të bërë publik nga familjarët, homazhet për Shpat Kasapin do të zhvillohen nga ora 12:00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e qytetit.

Në deklaratën e familjes, e cila është publikuar me dhimbje të thellë, theksohet se Kasapi ishte njeri i dashur e i afërt me të gjithë ata që e rrethonin:

“Me hidhërim të thellë kumtojmë ndarjen nga jeta të birit, bashkëshortit, babait, vëllait dhe mikut tonë të dashur. Shpati ishte një zemër e pastër, një shpirt i gëzueshëm që jetonte me këngë në buzë dhe me dritë në sy. Ai përhapte vetëm dashuri e mirësi… Largimi i tij i papritur na ka thyer zemrat.”

Këngëtari, i njohur për zërin e tij të butë dhe stilin karakteristik që e bëri të dashur për publikun për gati dy dekada, ka qenë një nga figurat më të pëlqyera të skenës muzikore shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Me këngë të suksesshme dhe një prani të ngrohtë në skenë, Kasapi arriti të krijojë lidhje të fortë me fansat, të cilët sot ndajnë të njëjtën dhimbje me familjarët.

Ndarja e tij e papritur ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku kolegë, artistë dhe qytetarë kujtojnë momentet që ai u ka dhuruar me muzikën e tij, duke e përshkruar si një njeri të qetë, pozitiv dhe gjithmonë të gatshëm për të sjellë gëzim.

Sot, Tetova do ta përcjellë në prehjen e fundit artistin që la gjurmë në zemrat e shumë njerëzve. Shpat Kasapi do të kujtohet për krijimtarinë e tij muzikore, karakterin e tij të butë dhe dashurinë që tregoi gjatë gjithë jetës ndaj publikut.

U prefsh në paqe, Shpat! 

Poll