“Kemi kaluar një rrugë të gjatë nga ekonomia e parasë te ekonomia e informacionit, pastaj te ekonomia e vëmendjes e më pas te ekonomia e emocioneve. Sot jemi në ekonominë e besimit. Pyetja kyçe nuk është më ‘A është e vërtetë?’, por ‘A i besoj burimit?’ — një pyetje që na kërkon të zhvillojmë të menduarit kritik, aftësitë digjitale, komunikimin, bashkëpunimin, empatinë dhe dhembshurinë.”
Me këto fjalë, ekspertja e medias nga Rumania, Ioana Avădani, hapi Facts Content Lab në Podgoricë, të mbajtur në kuadër të fushatës për edukim mediatik “Facts Come First” nën iniciativën DG ENEST WeBalkans.
Ky aktivitet ofroi një mundësi të rrallë që gazetarët, influencerët, verifikuesit e fakteve dhe krijuesit e përmbajtjes nga i gjithë Ballkani Perëndimor të mblidhen dhe të ndajnë perspektivat lokale mbi dezinformimin. Ata shqyrtuan se si ky fenomen ndikon në jetën e përditshme në rajon dhe theksuan rëndësinë e informacionit të saktë, të menduarit kritik dhe angazhimit qytetar të informuar.
“Dezinformimi nuk është vetëm përhapje e pavërtetave, por një mënyrë për të kontrolluar diskursin publik dhe për të minuar vlerat demokratike. Lufta kundër dezinformimit mbron demokracinë, mundëson marrjen e vendimeve të informuara dhe çon drejt një shoqërie më të fortë dhe më të edukuar mediatikisht,” deklaroi Raluca Costache, udhëheqëse e ekipit të programit WeBalkans, dhe shtoi: “Përmes fushatës ‘Faktet të parat’, duam të theksojmë se dezinformimi krijon konfuzion, ndërsa faktet sjellin qartësi. Një qasje e bazuar në fakte mbi procesin e anëtarësimit në BE i ndihmon qytetarët e Ballkanit Perëndimor të vlerësojnë informacionet në mënyrë kritike dhe të refuzojnë narrativat e rreme.”
Fokusi tematik i ngjarjes ishte ç’njohja e keqkuptimeve të zakonshme mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pjesëmarrësit diskutuan sesi krijuesit e përmbajtjes, veçanërisht gazetarët, mund të çmontojnë narrativat e rreme dhe të ofrojnë një kuptim më të qartë të procesit të integrimit, si për qytetarët e BE-së, ashtu edhe për ata të Ballkanit Perëndimor.
Një nga segmentet më interesante ishte parashikimi i “së ardhmes së së vërtetës”. Pjesëmarrësit eksploruan se çfarë mund të ndikojë në të vërtetën në vitin 2040, ku lajmet e krijuara nga inteligjenca artificiale u identifikuan si një sfidë, por edhe si një prizëm nëpërmjet së cilës roli i njeriut konfirmohet sërish. Konkluzioni ishte i qartë – inteligjenca artificiale mund të ndihmojë, por empatia njerëzore do të udhëheqë, sepse njerëzve gjithmonë do t’u nevojiten njerëzit.
“Kur raportoni dhe përpiqeni të verifikoni burimet dhe pretendimet, bëheni të vetëdijshëm jo vetëm për shpejtësinë e përhapjes së dezinformimit, por edhe për sasinë e tij në diskursin publik—dhe sa thellë ndikon në mendimin publik. Detyra jonë nuk është vetëm të korrigjojmë të pavërtetat, por të rikthejmë besimin e njerëzve, shkronjë pas shkronje, histori pas historie,” tha gazetari Dejan Šajinović nga Nezavisne novine.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit eksploruan mënyra të reja dhe efektive për të luftuar dezinformimin. Duke punuar në ekipe dinamike, ata zhvilluan përmbajtje multimediale kreative të dizajnuara për të arritur audiencën dhe për të promovuar burime të bazuara në fakte dhe të besueshme.
“Si influencuese, mendoj se më e rëndësishmja është të mbetem e sinqertë me atë që jam edhe në jetën reale. Nuk jam vetëm dikush që flet për libra—e përdor platformën time për të ndarë mendime të sinqerta dhe për të kontribuar në diskutime të rëndësishme në shoqërinë shqiptare, gjithmonë duke verifikuar burimet dhe faktet. Ashtu si me recensimet e librave—nuk mund të flasësh për një libër duke treguar një histori tjetër. Në rrjetet sociale, sinqeriteti duhet të jetë qëllimi nëse dëshiron të ndërtosh një marrëdhënie afatgjatë me publikun që vërtet të beson,” tha influencuesja Xhorxhina Roci.
Përveç rolit të inteligjencës artificiale në përhapjen e dezinformimit, pjesëmarrësit analizuan edhe teknikat e bindjes, raportimin e njëanshëm dhe reklamimin nativ, të cilat gjithnjë e më shumë fshijnë kufirin midis informimit dhe manipulimit.
Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e fact-checking-ut — verifikimit të fakteve si një proces që nuk ka për qëllim vetëm zbulimin e pavërtetave, por edhe ngadalësimin e sensacionalizmit në hapësirën publike, në mënyrë që e vërteta të ketë kohë të dalë në pah. Në një det përmbajtjesh virale, roli i verifikuesve të fakteve është të rikthejnë provat në qendër të vëmendjes.
Lab-i gjithashtu theksoi nevojën për krijimin e kushteve më të mira për forcimin e një mjedisi mediatik të pavarur dhe profesional. Përmes mbështetjes për integritetin e medias, iniciativave për verifikimin e fakteve dhe pavarësisë mediatike, BE-ja synon të forcojë besimin publik në gazetarinë e besueshme në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Lufta kundër dezinformimit nuk ka të bëjë vetëm me paraqitjen e fakteve—është përpjekje për të rindërtuar besimin. Njerëzit duhet të besojnë jo vetëm në saktësinë e informacionit, por edhe në integritetin e atyre që e ndajnë atë. Besimi është ura mes së vërtetës dhe kuptimit—pa të, faktet nuk dëgjohen,” përfundoi Avădani.
Tri ditë intensive prodhimi rezultuan me përmbajtje të gatshme për publikim: video, reels, artikuj dhe histori për rrjetet sociale, që pasqyrojnë jo vetëm qëndrimet e gazetarëve, influencuesve, verifikuesve të fakteve dhe krijuesve të përmbajtjes mbi temën e dezinformimit, por edhe mënyrën se si dëshirojnë të komunikojnë me publikun e tyre mbi këtë temë. /Zëri







