Një trend i fundit në TikTok, ku prindërit testojnë reagimet e fëmijëve të tyre duke i vendosur në situata të sikletshme, ka përfunduar me pasoja ligjore për një 24-vjeçare nga Helsingborgu, Suedi. Sfida, e cila konsiderohej si një “shaka” e padëmshme, shpesh rezultonte ose në të qeshura me zë të lartë, ose në konfuzion dhe lot nga ana e fëmijëve. Por për këtë nënë e re, “lojërat” virtuale nuk kaluan pa pasoja.
Gjatë verës së kaluar, ajo realizoi videon si pjesë e trendit dhe e publikoi në TikTok. Videoja, ku ajo qesh me të madhe ndaj reagimit të vajzës së saj, u bë shpejt virale duke kaluar mbi 100,000 shikime. Megjithatë, reagimet nuk ishin vetëm pozitive: një raportim anonim në polici çoi çështjen përpara drejtësisë.
Sipas Het Laatste Nieuws, edhe pse gjykata nuk e pranoi akuzën për “sulm”, ajo e dënoi gruan për sjellje “të papërgjegjshme” dhe “të pamatur”. Për pasojat psikologjike dhe poshtërimin publik që i shkaktoi vajzës së saj gjatë transmetimit live, si dhe për thyerjen e besimit prindëror, ajo u urdhërua të paguajë 20.000 korona suedeze (rreth 1.800 euro) si dëmshpërblim.
Rasti ka hapur debat në Suedi mbi kufijtë moralë të përmbajtjes në rrjetet sociale dhe përgjegjësinë prindërore në epokën e viralitetit.








