MAGAZINË /

Punoi 80 orë në javë për të krijuar agjentë me AI, pushohet nga puna dhe zëvendësohet nga krijesa e tij

I talentuar dhe ambicioz, ai programonte dhe drejtonte ekipe brenda dhe jashtë SHBA-së, duke zhvilluar “agjentë AI” që mund të automatizonin procese të tëra pune, madje edhe departamente të kompletuara.

Shkruar nga Versus
Punoi 80 orë në javë për të krijuar agjentë me AI,
Donald King

Donald King, 26 vjeç, është bërë simbol i mënyrës se si kompanitë e mëdha po përdorin inteligjencën artificiale, shpesh në dëm të punonjësve të rinj.

I diplomuar në Universitetin e Teksasit në Austin në vitin 2021, ai u punësua në PwC (shkurtimi i Pricewater house Coopers, një nga firmat më të mëdha ndërkombëtare të shërbimeve profesionale) në Nju Jork si bashkëpunëtor në konsulencën teknologjike, duke punuar me klientë të rëndësishëm si Oracle.

Pasi PwC njoftoi një investim prej 1 miliard dollarësh në inteligjencën artificiale, King iu bashkua një ekipi kërkimi intensiv, ku punonte 60–80 orë në javë.

I talentuar dhe ambicioz, ai programonte dhe drejtonte ekipe brenda dhe jashtë SHBA-së, duke zhvilluar “agjentë AI” që mund të automatizonin procese të tëra pune, madje edhe departamente të kompletuara. Ai rrëfen për Fortune: “Na u desh të pyesnim: çfarë po ndërtojmë? Ishte si t’i trajtoje makinat si njerëz.”

Tetë muaj pas marrjes së rolit të ri, King prezantoi projektin fitues në “hackathon”-in e OpenAI: një flotë agjentësh AI që kryenin automatikisht detyrat më të lodhshme të njerëzve. I bindur se ky sukses do t’i sillte ngritje në detyrë, ai u trondit kur vetëm dy orë pas prezantimit mori një telefonatë nga PwC: “Je i pushuar!”

I tronditur, King regjistroi momentin e njoftimit dhe e publikoi në TikTok, ku videoja u bë virale me mbi 2 milionë shikime. Ai thotë se e kishte të pamundur të besonte se do të humbte punën pikërisht për teknologjinë që vetë kishte ndërtuar: “Mendova se isha i sigurt, sidomos pasi fitova vendin e parë. Më kapi krejt papritur.”

Rasti i tij ka ndezur debat ndërkombëtar mbi përdorimin etik të AI dhe ndikimin e tij mbi punonjësit. Media e konsideron King simbol të tensionit midis inovacionit teknologjik dhe sigurisë së punës, sidomos për gjeneratën “Gen Z”, ku shumë të diplomuar dhe punonjës të rinj po përballen me rreziqe të papritura në vendet e punës, pavarësisht përkushtimit dhe rezultateve të shkëlqyera.

Analistët e sektorit paralajmërojnë se adoptimi i AI po ndryshon rrënjësisht tregun e punës: shumë kompani po reduktojnë vendet për fillestarët dhe punonjësit e rinj, shpesh duke përdorur teknologjinë që vetë punonjësit ndihmuan të krijohet, duke ngritur pyetje etike dhe sociale për të ardhmen e punës./Versus.al

Poll