Pas spekulimeve të fundit, është konfirmuar se këngëtari i njohur Shpat Kasapi dhe bashkëshortja e tij, Selvije Jao, i kanë dhënë fund martesës së tyre.
Lajmin e ndau emisioni “Prive”, ku u raportua se Selvija ka pohuar ndarjen, por theksoi se ata do të qëndrojnë të lidhur për shkak të djalit të tyre të përbashkët.
Por në mesin e gjithë kësaj vëmendjeje mediatike, vjen edhe një reagim i ndjeshëm nga vetë Shpat Kasapi.
Këngëtari ka ndarë një pjesë nga balada e tij më e re, ku thekson: “Nuk du’ me u nda’” — një mesazh që fansat e tij e kanë interpretuar si një dëshirë për pajtim dhe dhimbje pas ndarjes.
Në rrjetet e tyre sociale, ndjekësit e vëmendshëm kanë vërejtur ndryshime që mund të lidhen me këtë periudhë të ndjeshme.
Selvija, që më parë njihej në Instagram si @selvijekasapi, ka rikthyer mbiemrin e saj të vajzërisë dhe tani mban emrin @selvije.jao.
Ky veprim vjen pas martesës së tyre luksoze të zhvilluar në qershor të vitit 2021.
Ndërsa Shpati zgjodhi të shprehë emocionet e tij përmes muzikës, Selvija publikoi një mesazh shpirtëror, duke ndarë një foto të Kuranit të shenjtë dhe duke shkruar:
“Qëndroj e heshtur sepse Allahu e di! Kam aq shumë besim tek Allahu, sa edhe në momentet e mia më të vështira, gjej paqe duke ditur që Ai kurrë nuk bën gabime…”
Shpati dhe Selvija janë një nga çiftet më të përfolur të viteve të fundit. Martesa e tyre u mbajt larg kamerave, por ndjekësit i ndoqën me entuziazëm çdo detaj të rrallë që çifti ndante në rrjete sociale. Tani, me ndarjen e konfirmuar, shumë pyesin: A ka ende shpresë për pajtim?
Pavarësisht ndarjes, të dy prindërit duket se po ruajnë qetësinë dhe respektin për hir të fëmijës së tyre.
Ndërkohë, fansat mezi presin të dëgjojnë baladën e re të Shpatit, e cila ndoshta do të na japë më shumë përgjigje për ndjenjat e tij të vërteta.








