
Një ekip ndërkombëtar kërkimor ka arritur për herë të parë në histori të shkencës të arrijë të eliminojë plotësisht kancerin e avancuar në pankreas, sipas rezultateve të publikuara nga studime preklinikë mbi modele të minjve.
Kjo do të thotë se në analizat e mëtejshme nuk u gjet asnjë gjurmë e qelizave kancerogjene të sëmundjes agresive, pa shfaqjen e rezistencës tumorale.
Megjithatë, autorët theksojnë se rezultatet janë arritur vetëm në minj, prandaj jemi ende larg disponimit të një terapie efektive për pacientët.
Pavarësisht kësaj, arritja konsiderohet historike dhe ofron shpresë konkrete në luftën kundër një prej kancereve më vdekjeprurës.
Sipas të dhënave të Associazione Italiana per la Ricerca sul Cancro (AIRC) dhe Associazione Italiana dei Registri Tumori (AIRTUM), mbijetesa një vit pas diagnozës është vetëm 34% tek meshkujt dhe 37,4% tek femrat, ndërsa pesë vjet më pas mbijetojnë vetëm 5% e pacientëve dhe dhjetë vjet më pas vetëm 3%.
Kanceri pankreatik është i njohur për agresivitetin dhe vështirësinë e diagnostikimit, pasi shpesh zbulohet në stadet e avancuara, duke e bërë praktikisht të pakurueshëm.
Sëmundja mund të jetë pa simptoma deri sa të arrijë përmasa të mëdha, dhe trajtimet aktuale janë të kufizuara dhe kryesisht bazohet në ilaçe citotoksike të vjetruara.
Rreth 90% e rasteve janë adenokarcinoma duktale pankreatike (PDAC), pikërisht lloji që shkencëtarët kanë arritur të eliminojnë te minjtë.
Ky rezultat u arrit nga një ekip i udhëhequr nga shkencëtarë spanjollë në Centro Nacional de Investigaciones Oncológicas (CNIO) në Madrid, në bashkëpunim me institute të tjera, përfshirë Universitetin e Torinos, Centre de Recherche en Cancérologie në Marsili, CIBERONC dhe të tjerë.
Nën drejtimin e profesor Mariano Barbacid Montalbán, ekipi ka fokusuar punën e tij tek rrugët e sinjalizimit të lidhura me gjenin KRAS, i cili shpesh është i përfshirë në adenokarcinomën duktale pankreatike.
Ekspertët e shohin këtë përparim si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të terapisë potenciale për pacientët, dhe pavarësisht se kërkimi është ende në faza preklinikë, rezultatet ofrojnë shpresë reale në luftën kundër një prej kancereve më vdekjeprurës./Versus.al

