
Tre dekada pas skandalit që tronditi publikun amerikan dhe çoi në shkarkimin e Bill Clinton, Monica Lewinsky ka pranuar publikisht se, në atë kohë, ajo ndihej e dashuruar me të.
Në një diskutim në podcastin e Elizabeth Day "How To Fail", aktivistja tani 51-vjeçare pranoi gjithashtu çekuilibrin e qartë të pushtetit që karakterizonte marrëdhënien e tyre.
"Ishte dashuria e një gruaje të re, 22 deri në 24 vjeç," tha ajo .
"Mendoj se kishte njëfarë obsesioni dhe gjëra të tjera, por kështu e shihja unë në atë kohë. Gjithashtu mendoj se ishte një abuzim me pushtetin."
Duke iu referuar imazhit që u formua rreth emrit të saj në ato vite, Lewinsky u përqendrua në veçanti në stereotipin e "bjondes budallaqe" ose "bimbos", i cili - siç thotë ajo - nuk kishte të bënte fare me realitetin.
"Puna ime e parë pas kolegjit ishte në Shtëpinë e Bardhë. Nuk mendoj se kjo është një rrugë që dikush ndjek dhe dhjetë ose dymbëdhjetë vjet më vonë nuk arrin të gjejë punë. Kam punuar gjithashtu në Pentagon, kam udhëtuar në të gjithë botën me shefin tim, i cili ishte sekretari i shtypit i Pentagonit, dhe kemi udhëtuar me Sekretarin e Mbrojtjes. Nuk jam gjeni, nuk do të isha kurrë në krye, por nuk isha një budallaqe. Kështu më paraqisnin, dhe kjo ishte diçka me të cilën u përpoqa shumë ta përballoja."
Kur Day komentoi se kjo narrativë përforcohej edhe nga gratë, ajo u përgjigj: “Shpesh nga gra të tjera, por mendoj se kjo narrativë u krijua dhe u promovua nga Shtëpia e Bardhë, dhe thjesht shumë gra e besuan atë.”
Lewinsky gjithashtu rrëfeu se, nëse do të mundte, do të preferonte një jetë larg vëmendjes. “E dua dhe e vlerësoj atë që jam sot, por për kaq shumë arsye të ndryshme, do të preferoja një jetë më normale. Do të doja të kisha një rrugë më normale.”
Në një intervistë tjetër, në podkastin Call Her Daddy, ajo tha se pas skandalit ndjeu sikur kishte “humbur të ardhmen e saj”.
Duke folur për atë periudhë, ajo tha: “U portretizova shumë shpejt si një ndjekëse, me çrregullime mendore, jo mjaftueshëm tërheqëse.” Ajo shtoi: “ Për shkak të dinamikës së pushtetit dhe diferencës së pushtetit, nuk duhej të kisha qenë kurrë në atë pozicion të mjerë.”
Sipas mendimit të saj, goditja nga ai rast nuk e shqetësonte vetëm atë. “Pati humbje të mëdha anësore për gratë e gjeneratës sime, të cilat panë një grua të re të shpifej universalisht, të shkatërrohej për seksualitetin e saj, për gabimet e saj, për gjithçka.”
Skandali i Monica Lewinsky dhe Bill Clinton
Skandali i Monica Lewinsky-t me Bill Clinton shpërtheu në vitin 1998, kur u zbulua se Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara kishte pasur një marrëdhënie seksuale me praktikanten e Shtëpisë së Bardhë, Lewinsky, nga viti 1995 deri në vitin 1997.
Prova kryesore ishte një fustan blu që Lewinsky kishte veshur gjatë takimit të tyre më 28 shkurt 1997, dhe të cilin ajo e kishte mbajtur të palarë në dollapin e saj, pa e ditur se ishte njollosur me spermë.
Shoqja e saj, Linda Tripp, e bindi atë ta mbante atë si provë, së bashku me regjistrimet në kasetë të bisedave të tyre.
Më 28 korrik 1998, Lewinsky ia dorëzoi fustanin Këshilltarit Special Kenneth Starr, i cili ia dërgoi FBI-së.
Atje, përmes testimit të ADN-së, u përcaktua se materiali gjenetik përputhej me atë të Clinton, nga i cili ishte marrë një mostër gjaku për këtë qëllim.
Ky zbulim çoi në shkrimin e të famshmit "Raport Starr", në të cilin presidenti i atëhershëm i SHBA-së u akuzua për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë.
Pavarësisht shkarkimit të tij nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati e liroi Klinton nga akuzat, duke ruajtur kështu pozicionin e tij./Versus.al







