
Ajo që nisi si një mbrëmje festive në një dasmë familjare në një restorant në Shkabaj, përfundoi me një incident të dhunshëm ku u përfshi këngëtari i njohur Shpat Kasapi.
Sipas burimeve, vonesa e Kasapit në dasmë dhe fakti që ai ndodhej nën efektin e alkoolit çuan në një konflikt me organizatorët e ceremonisë, ku mori pjesë edhe dhëndri. Përplasja degjeneroi në dhunë fizike, ku Kasapi dhe vëllai i tij, Albin Kasapi, u sulmuan nga tre persona – Feim Kicaj (rreth 62 vjeç), Bledar Kicaj (36) dhe Blerim Kicaj (29).
Ngjarja ndodhi në aksin Prishtinë–Mitrovicë, duke tërhequr vëmendje dhe reagime të shumta publike. Një prej të sulmuarve përfundoi me lëndime dhe mori ndihmë mjekësore. Policia ndërhyri duke shoqëruar si të dyshuarit, ashtu edhe viktimat, në komisariat. Me vendim të prokurorit, Feim Kicaj u ndalua për 48 orë, ndërsa dy të tjerët u liruan në procedurë të rregullt. Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota.
Këngëtari Shpat Kasapi është komentuar edhe më herët për temperamentin e tij. Në një intervistë vite më parë, ai kishte pranuar se në moshën 25–26 vjeç kishte qenë një person i dhunshëm dhe madje kishte goditur ish-partneren e tij pasi kishte zbuluar një tradhti.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Kasapi u përfol në media për një divorc.







