
Prej disa ditësh në rrjetet sociale dhe media po qarkullon lajmi se bashkëshorti i një punonjëse të Bashkisë ka denoncuar në polici se gruaja e tij e ka tradhtuar me ish-kryetarin e Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi.
Sipas raportimeve, burri i saj ka paraqitur një kallëzim penal, ku pretendohet për marrëdhënie me dhunë, nën kërcënim dhe presion në vendin e punës.
Në lidhje me këto raportime ka reaguar vetë Elda Xhakollari, e përfolura në këtë histori, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim të bërë publik.
Ajo deklaron se lajmet janë të pavërteta dhe se bashkëshorti i saj nuk e ka “kapur në flagrancë” me ish-kryebashkiakun, siç pretendojnë disa media.
Në një reagim emocional, Xhakollari shprehet se ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike për shkak të përhapjes së këtyre lajmeve dhe thekson se ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë kundër personave që, sipas saj, kanë trilluar dhe përhapur informacion të rremë.
Postimi i Elda Xhakollarit:
Deklaratë personale
Fjalët më janë mbërthyer në shpirt, por ka ardhur momenti që të dalin.
Prej disa ditësh, emri im është bërë subjekt lajmesh të pavërteta dhe shpifëse që kanë qarkulluar në portale dhe rrjete sociale. Një situatë e thjeshtë pune është shtrembëruar, keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë çdo konteksti, duke u kthyer në një histori që nuk ka asnjë lidhje me realitetin tim.
Ajo që më dhemb më shumë nuk është vetëm përmbajtja e këtyre lajmeve, por dëmi emocional që ato kanë shkaktuar — tek unë, familja ime dhe, mbi të gjitha, tek dy fëmijët e mi të mitur. Ata nuk kuptojnë pse nëna e tyre përflitet, pse njerëzit flasin pa ditur të vërtetën, pse dikush shpif... por ata e ndiejnë gjithçka. Dhe kjo më copëton më shumë se çdo gjë tjetër.
Nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi dhe ndjeshmëri. Kërkoj që njerëzit të mos gjykojnë pa fakte, të mos lëndojnë pa arsye dhe të mos shpërndajnë lajme që shkatërrojnë jetë reale. Asgjë nga ajo që është thënë nuk është e vërtetë. Çdo hap i nevojshëm ligjor është duke u ndërmarrë — jo për hakmarrje, por për të mbrojtur të vërtetën dhe për të thënë qartë: MJAFT MË!
Dua ta theksoj qartë: Bashkëshorti im nuk ka bërë kurrë deklaratat që janë përmendur në media. Çdo fjalë që pretendohet se është thënë prej tij është një trillim. Për këtë, do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore — penale dhe civile — kundër autorëve të këtyre shpifjeve dhe ndaj atyre që i kanë përhapur.
Kjo është një fushatë e ulët dhe e koordinuar, një sulm i tmerrshëm jo vetëm ndaj meje si individ, por edhe ndaj familjes sime dhe fëmijëve të mi, të cilët janë ekspozuar padrejtësisht ndaj kësaj dhune publike. Nuk do të lejoj askënd të më përdorë si “kavje” për t’u gjykuar në portale që prodhojnë “lajme” me komente Facebook-u dhe biseda kafeneje.
Asnjë hap nuk do të mbetet pa u ndjekur. Dinjiteti im, puna ime dhe familja ime nuk janë për t’u prekur. Çdo njeri që ka menduar të më godasë, do të përballet me forcën e ligjit.
Ky nuk është vetëm një sulm ndaj meje. Është një atentat ndaj së drejtës për privatësi, ndaj etikës, dhe mbi të gjitha, një përpjekje për të më gjykuar publikisht pa prova, në mungesë të plotë të së vërtetës.
Familja ime është lënduar rëndë, dhe ky dëm nuk do të kalojë pa u trajtuar institucionalisht dhe ligjërisht. Nuk do të hesht. Asnjë portal, asnjë komentues, asnjë njeri që e përdor lirinë e fjalës si armë shpifjeje nuk do të mbetet pa përgjigje.
Dinjiteti im nuk është në shitje. E vërteta do të dalë dhe drejtësia do të vihet në vend.
Është shumë e lehtë të gjykosh dikë pa ditur të vërtetën. Është e lehtë të bësh moralistin pas një telefoni. Por nuk është aspak e lehtë të përballosh diçka të tillë. Megjithatë, unë po e bëj — për fëmijët e mi, për dinjitetin tim dhe për çdo njeri që është gjykuar padrejtësisht në heshtje.
Ju lutem, në vend që të përhapni dhimbje, përhapni mirëkuptim. Përhapni kujdes. Shpifja nuk është lajm. Shpifja është dhunë.
Unë jam më shumë se një titull portali. Jam një nënë, një bijë, një njeri.
E them me zë të plotë: gjithçka që është publikuar për mua është e pavërtetë. Një shpifje, një padrejtësi!
Faleminderit nga zemra të gjithëve që më keni qëndruar pranë me fjalë mbështetjeje e dashamirësie. Kjo ka më shumë rëndësi sesa mund të përshkruaj.
Sa për ata që u gëzuan nga dhimbja e një gruaje, e një nëne, e një bije… kam vetëm një mesazh:
“Do të vijë dita që do t’ju vijë turp nga vetja.”
Unë nuk jam si ju. Dhe, megjithëse më vratë, nuk do të më bëni dot si veten./Versus.al







