Tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme kanë marrë një tjetër kthesë shqetësuese, teksa autoritetet iraniane po shqyrtojnë seriozisht mbylljen e ngushticës strategjike të Hormuzit, një prej pikave më kritike për tregtinë globale të energjisë.
Lajmi është raportuar nga mediat iraniane, të cilat citojnë Esmail Kosari, anëtar i komisionit për sigurinë në parlamentin iranian, sipas të cilit “çdo opsion mbetet mbi tryezë”, përfshirë bllokimin e kësaj rruge detare në rast të përshkallëzimit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.
Ngushtica e Hormuzit, që ndodhet ndërmjet Iranit dhe Omanit, është korridori më i rëndësishëm detar për eksportin e naftës në botë. Rreth 20% e naftës së tregtuar globalisht kalon çdo ditë përmes saj.
Tronditje në tregjet e naftës
Vetëm përmendja e mundësisë së mbylljes së ngushticës ka shkaktuar tronditje në tregjet ndërkombëtare, me çmimet e naftës që kanë shënuar rritje të ndjeshme në bursat kryesore.
Analisti i pavarur i çështjeve gjeopolitike, Taufiq Rahim, deklaroi për Al Jazeera se:
“Izraeli është përmbajtur nga goditja në mënyrë të rëndë e infrastrukturës së naftës së Iranit. Nëse kjo ndryshon, pasojat do të jenë shumë më dramatike”.
Çfarë ndodh nëse ngushtica mbyllet?
Sipas skenarëve të ekspertëve të energjisë, nëse Irani ndërmerr hapin ekstrem të bllokadës së Hormuzit, ndikimi mbi ekonominë globale do të ishte i menjëhershëm dhe i ndjeshëm.
Arabia Saudite, megjithatë, do të mund të eksportonte rreth 5 milionë fuçi naftë në ditë përmes tubacionit alternativ që e lidh me Detin e Kuq dhe Kanalin e Suezit, duke shmangur ngushticën.
Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu kanë mundësi të pjesshme eksportimi përmes rrugëve tokësore dhe detare alternative.
Katari, nga ana tjetër, do të ishte ndër më të goditurit, pasi i gjithë eksporti i gazit natyror të lëngshëm të këtij vendi kalon përmes Hormuzit. Çdo bllokim do të prekte drejtpërdrejt furnizimin me gaz të shumë vendeve evropiane dhe aziatike.
Ngushtica e Hormuzit është jo vetëm një rrugë jetike për naftën dhe gazin, por edhe një pikë strategjike që ndikon fuqishëm mbi stabilitetin energjetik global. Një përshkallëzim ushtarak apo vendim politik i Iranit për bllokimin e saj do të mund të shkaktonte krizë të re energjetike dhe të ndikonte në inflacionin botëror.
Aktualisht, bota mban frymën për një de-përshkallëzim të situatës në rajon, ndërsa investitorët, qeveritë dhe tregjet e energjisë ndjekin nga afër çdo zhvillim në Teheran dhe Tel Aviv. /Versus.al/







