
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari vizitoi efektivët e lënduar nga protesta e dhunshme e Partisë Demokratike. Policët po marrin trajtim në spitalin e Traumës dhe në QSUT.
Lamallari tha se sulmet ndaj policisë janë të patolerueshme, ndërsa e cilësoi pabesi që të miturit të vendoseshin në rreshtin e parë të protestës për të sulmuar policët.
“Në Spitalin e Traumës për të parë nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur nga molotovët dhe mjetet e rrezikshme teksa ishin në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme!
Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t'i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve.
Autorët, organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi. Ne do të qëndrojmë fort në mbrojtje të ligjit, institucioneve dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”, shkruan Lamallari në videon e publikuar.
Ndërkohë, mësohet se deri tani janë shoqëruar nga policia rreth 23 protestues. Versus.al



