Adriana Kalaja, një nga figurat më aktive të lëvizjes së Sali Berishës, ka bërë një deklaratë të fortë në një intervistë publike, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka tentuar ta blejë politikisht përmes ndërmjetësimit të një biznesmeni të fuqishëm.
“Unë nuk jam nga ato që dal e bëj viktimën, por ofertat i kam pasur ndër vite. Rama është ndoshta i vetmi kryeministër që nuk i lufton kundërshtarët – ai i blen. Për këtë kemi shumë prova,” deklaroi Kalaja.
Sipas saj, përpjekjet për ta joshur kanë nisur që në kohën e debatit për Teatrin Kombëtar, por u intensifikuan pas përfshirjes së saj në “Foltoren” e Sali Berishës më 10 shtator 2021.
“Brenda javës më thirri një biznesmen shumë i fuqishëm, që fliste në emër të Ramës. Më ofroi kalimin në krahun e tyre, por unë nuk e pranoj një gjë të tillë. Edhe sot, pavarësisht zhgënjimit që kam nga rezultati, nuk jam penduar. Besoj se kam ndjekur rrugën e drejtë.”
Kalaja shtoi se ishte e vetëdijshme që ishte e vështirë të fitonte një mandat deputeti, por priste një rezultat më të mirë për Partinë Demokratike, duke llogaritur deri në 71 mandate. Ajo akuzon Ramën se kishte planifikuar një “masakër elektorale” përmes manipulimeve në votën e diasporës.
“Regjimi i Ramës nuk është më thjesht një qeveri, por një sistem që kërkon të neutralizojë çdo zë kundërshtar. Ndaj është koha për një qasje radikale dhe përballje të drejtpërdrejtë.” Versus.al







