POLITIKË /

Qëndrimi i PE për zonat e mbrojtura, Rama: S’është për Zvërnecin! VIP-at me botoks të gatiten për fundin e revolucionit imagjinar

Shkruar nga Versus

Qëndrimi i PE për zonat e mbrojtura, Rama: S’është

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me urdhrin e Parlamentit Europian për ndalimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura. Rama thotë se qëndrimi i PE nuk ka lidhje me Zvërnecin, por me Pishë Poro-Nartë dhe u bëri thirrje atyre që i konsideroi si “VIP-a me botokse” që të bëhen gati për fundin e revolucionit imagjinar.

Ndërsa shtoi se përsa i takon rishikimit të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ky ligj është pjesë e agjendës së negociatave dhe se do të identifikohen pikat që nuk përputhen me standartet e BE.

Postimi i plotë i Ramës:

Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!

Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur  në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshëm.

Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro - Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë - Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale.

Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së.

Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar. Versus.al

Poll