
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor biznesmenin Pëllumb Gjoka, duke e dënuar përfundimisht me 6 vite burgim për akuzat që lidhen me krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsionin.
Vendimi u dha pas përfundimit të procesit gjyqësor për dosjen “Metamorfoza”, një nga hetimet më të bujshme të viteve të fundit. Gjoka u shpall i pafajshëm vetëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Në të njëjtën çështje, GJKKO dënoi me 5 vite burg ish-oficerin e policisë Ardit Hasanbegaj, i cili akuzohej për përfshirje në veprimtari kriminale në kuadër të të njëjtit grup.
Të dy u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza”, i cili zbardhi komunikime dhe veprimtari të dyshuara kriminale mes personave me precedentë penalë, biznesmenëve dhe zyrtarëve të institucioneve shtetërore.
Ndërkohë, problemet ligjore të Pëllumb Gjokës nuk mbyllen me këtë vendim. Ai dhe disa anëtarë të grupit kriminal Bajri vijojnë të gjykohen me procedurë të zakonshme për akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Vaun e Dejës.
Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në shkallët më të larta të gjyqësorit.Versus.al

