
Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor Levan–Tepelenë, pranë fshatit Fratar, ku janë përfshirë pesë automjete, mes tyre edhe një kamper me turistë.
Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur. Sipas informacioneve paraprake, dy prej tyre janë shtetas gjermanë. Të lënduarit janë transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore të nevojshme dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dy nga të plagosurit janë nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Menjëherë pas aksidentit, në zonë kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Po ashtu, autoritetet po punojnë edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm rrugor, i cili gjatë sezonit veror regjistron fluks të lartë automjetesh që udhëtojnë drejt jugut të vendit.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e përplasjes.Versus.al

