
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 23 persona, pjesëmarrës në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, pas veprimeve të kryera gjatë tubimit, të cilat sipas autoriteteve janë në kundërshtim me ligjin.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se nga verifikimet rezulton se disa prej pjesëmarrësve kanë organizuar dhe drejtuar protestuesit, duke penguar qarkullimin e lirë të automjeteve në disa segmente rrugore të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedim penal për 23 shtetas, identitetet e të cilëve janë bërë publikë.
Policia thekson se vijon puna për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë që mund të rezultojnë përgjegjës në lidhje me ngjarjen.
Materialet i janë dërguar Prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.Versus.al

