AKTUALITET /

Droni zbuloi vendndodhjen, gjendet një trup i dekompozuar i hedhur në humnerë, dyshohet se i përket Eglant Koçit i zhdukur prej 4 qershorit

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se trupi është konstatuar gjatë verifikimeve nga ajri me dron, në një terren të vështirë dhe të paarritshëm, ku prej ditësh policia po zhvillonte kërkime intensive

Shkruar nga Versus
Droni zbuloi vendndodhjen, gjendet një trup i dekompozuar i hedhur në

Një trup i dekompozuar është gjetur në një zonë malore mes Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa dyshimet e para janë se mund të bëhet fjalë për 34-vjeçarin që rezulton i zhdukur prej datës 4 qershor.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se trupi është konstatuar gjatë verifikimeve nga ajri me dron, në një terren të vështirë dhe të paarritshëm, ku prej ditësh policia po zhvillonte kërkime intensive. Sipas të njëjtave burime, trupi nuk është gjetur i groposur.

Menjëherë pas zbulimit, në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët kriminalistikë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur procedurat për dokumentimin e provave dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Identifikimi i viktimës pritet të kryhet përmes ekspertizës mjeko-ligjore dhe analizave laboratorike. Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave do të mund të konfirmohet zyrtarisht nëse trupi i përket Eglant Koçit.

Hetimet janë fokusuar te rrethanat e zhdukjes së 34-vjeçarit, ndërsa në kërkim vijon të jetë Armand Shakaj, i dyshuar si autor i ngjarjes. Sipas të dhënave hetimore, ai dyshohet se më 6 qershor ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e Koçit drejt zonës së Ibës.

Pikërisht në këtë zonë, ishin sinjalet e fundit të celularit të Shakajt. Ai e mori të riun me forcë në zyrën e tij në Tiranë ku dhe mendohet të jetë vrarë. Më pas Shakaj e ka nxjerrë dhe transportuar në makinën e tij, të cilën e kishte vendosur në një karrotrec për të humbur gjurmët.

Për të mos u zbuluar, 41-vjeçari kishte ndërruar të paktën 6 herë numrin e celularit.

Pista kryesore e konfliktit mes dy djemve dyshohet të kenë qenë mosmarrëveshjet për kriptovalutat dhe paratë me fajde.

Poll