POLITIKË /

"Malaj kreu vepër penale", Shehaj: Ministri më shantazhoi vetëm se pyeta për skandalin e Bankers

Shkruar nga Versus

"Malaj kreu vepër penale", Shehaj: Ministri më shantazhoi

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i cili u përjashtua nga seancat plenare ishte i pranishëm sot në Kuvend ku tha se gjatë vendimit të marrë nga Sekretariati i Etikës nuk ishin 6 deputetë siç e përcakton rregullorja. Ndërsa sa i takon procesverbalit, Shehaj tha se nuk është përfshirë sjellja e ministrit të Financave Petrit Malaj i cili sipas tij, e ka shantazhuar.

“Në seancën e kaluar në këtë parlament është konsumuar një vepër penale nga ana e ministrit të Financave. Haptas ka treguar që ka aksesuar informacione që lidhen me mua, familjarët e mi. I ka bërë ato publike dhe i ka përdorur për të më shantazhuar publikisht sepse kërkoja informacione lidhur me një skandal që kishte të bënte me 120 milionë euro të Bankers”- tha Shehaj.

Ndërsa më tej kërkoi korrigjimin e procesverbalit dhe që PS të ndalonte përdorimin e Kuvendit si pronë private.

“Jo vetëm më kërcënoi, por përdori edhe një fjalor të shëmtuar për të cilin nuk mban përgjegjësi dhe mungon në këtë procesverbal. Duhet që procesverbali të korrigjohet, të mos shënohet vetëm çfarë thashë unë, por edhe çfarë tha ai. Nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë duke e përdorur Kuvendin sikur ta keni pronë private”- shtoi deputeti. Versus.al

Poll