Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos e cila tha se qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama e kishte siguruar se gjithçka lidhur me projektet në zonat e mbrojtura, ishte conform rregullave.
Sipas PD, Kos është bazuar në informacione të rreme për ta bërë këtë deklaratë dhe kjo gjë e thellon edhe më tej krizën.
"Lidhur me Deklaratën e Komisioneres për Zgjerimin dhe fqinjësinë, zonjës Marta Kos, për krizën e rëndë që po kalon vendi ynë, Partia Demokratike shpreh shqetësimin dhe thekson se ajo është e bazuar në informacionet e rrejshme paraqitur nga miku i saj Edi, dhe jo në realitetin ekzistues në vend.
Ajo deklaratë injoron krizën e rëndë që ka mbërthyer Shqipërinë dhe i shërben Edi Ramës dhe jo zgjidhjes se krizës, përkundrazi e acaron dhe e thellon edhe më shumë. Partia Demokratike mbështet plotësisht 5 kërkesat e drejta të protestuesve si kushte për zgjidhjen paqësore të krizës", thuhet në deklaratën e PD-së. Versus.al

