
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, është kallëzuar në SPAK nga emisioni investigativ “Piranjat”, nën dyshimet për shpërdorim detyre dhe shpifje.
Kallëzimi vjen pas një episodi të transmetuar nga “Piranjat”, ku ngrihen akuza se Ristani ka vënë në dispozicion të familjarëve të saj mjetet e Bashkisë së Tiranës. Sipas investigimit, bashkëshorti i saj, Bledi Cikopana – punonjës në kabinetin e Presidentit – shoqërohej përditë me makinën e institucionit, e cila përdorej gjithashtu për të çuar fëmijën në shkollë. Ndërkohë, vetë Ristani ndiqte një itinerar personal që përfshinte palestër dhe më pas zyrën.
Nga ana tjetër, padia për shpifje lidhet me deklaratat e Ristanit në drejtim të gazetarëve të “Piranjave”, të cilët i ka etiketuar si “përndjekës”, “shantazhues” dhe “gjobaxhinj”.
Në një deklaratë publike, “Piranjat” shprehen se do t’i shkojnë çështjes deri në fund për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një përpjekje për të intimiduar median apo për viktimizimin e një politikaneje nën presion.
Ndërkohë, edhe Partia Demokratike ka kërkuar nisjen e hetimeve dhe ka bërë thirrje për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Tiranë, pas skandalit të bërë publik në media. Versus.al







