
Ish-zëvendëskryeministri Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për sigurinë në disa lagje të Tiranës, duke denoncuar mungesën e aksesit për mjetet e emergjencës në rast zjarri.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Braçe u ndal në zonën pranë “Librit Universitar”, të cilën e cilësoi si një nga “lagjet kurth” të qendrës së kryeqytetit. Sipas tij, rrugët e ngushta dhe automjetet e braktisura po bllokojnë kalimin e zjarrfikëseve dhe mjeteve të tjera të emergjencës.
“Jam këtu tek ‘Libri Universitar’. Nëse, larg qoftë, bie zjarr, zjarrfikësja nuk hyn dot në asnjë anë. Rrugët janë shumë të ngushta dhe makinat e braktisura e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme”, shprehet Braçe në video.
Deputeti socialist theksoi se banorët e zonës ndodhen përballë një rreziku serioz në rast emergjence, ndërsa kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për largimin e automjeteve të dala jashtë funksionit.
“Gjëja më e rëndësishme në këtë rast është të lutemi që të mos bjerë zjarr. Hapësirat janë të bllokuara dhe nëse ndodh diçka, pasojat mund të jenë tragjike. Duhet të vijë dikush t’i heqë këto makina që janë për në varreza”, deklaroi ai.

