
Deputeti Enkelejd Alibeaj i cili aktualisht përfaqëson partinë “Djathtas 1912”, ka zbuluar se para finalizimit të koalicionit me Dashamir Shehin, kishte pasur edhe bisedime me Lulzim Bashën për të formuar një bashkim më të gjerë.
I ftuar në Euronews, Alibeaj e cilësoi si tepër banale arsyen përse Basha nuk i ishte bashkuar koalicionit.
“Nuk dua të bie në sulme apo agresivitet ndaj partive të reja, por po them të vërtetën time. Në dhjetor të vitit të kaluar dolëm me një platformë të paraqitur secilës prej partive për krijimin e një koalicioni sa më gjithëpërfshirës, ku çdo subjekt të ruante protagonizmin e vet. Askush nuk pranoi, ndoshta edhe për shkak të paaftësisë sonë për t’i bindur. Kontaktet më të shumta me zotin Basha i pati Dashamir Shehi, por arsyeja e mosbashkëpunimit ishte fare banale,” u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, qëllimi ishte që në krye të koalicionit të vendosej një figurë publike që nuk i përkiste asnjërës prej partive politike.
“Kishim disa emra në mendje, por zoti Basha refuzoi. Ai kishte një qasje që vinte nga pretendimi se kishte më shumë struktura dhe ishte parti më e madhe. Por në një bashkim, logjika duhet të jetë e bazuar mbi paritetin” shtoi ai.
Alibeaj tha se Basha refuzoi që koalicioni të përfaqësohej nga Dashamir Shehi edhe pse kishte një dakordësi mes të tjerëve.
“Së dyti, të paktën ramë dakord që një figurë e paqtë si Dashamir Shehi, i artikuluar dhe i mençur, do t’i bënte nder këtij koalicioni. Por edhe kjo nuk u pranua. Secili kishte pretendimet e veta. Mbase ka menduar se vetëm do të kishte më shumë sukses. Por unë mendoj dhe vazhdoj të mendoj se një bashkim pa humbur identitetin do ishte mënyra më e mirë për të tërhequr atë 1/3 e elektoratit, pjesa më e emancipuar që i ka vënë kryq Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ky ishte synimi ynë, por nuk ia dolëm,” përfundoi Alibeaj. Versus.al








