Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, riktheu në vëmendje gjyqin që po zhvillohet në Hagë për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesën e prokurorisë për 180 vite burg për Veselin, Thaçin, Selimin dhe Krasniqin (45 vite secilit).
Balla propozoi ndërprerjen e punimeve të parlamentit dhe ngarkimin e dy përfaqësuesve nga mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Politikës së Jashtme për përgatitjen e një deklarate urgjente të Kuvendit, e cila të shprehë revoltën ndaj aktakuzës.
“Ditën e hënë u njoftuam me një aktakuzë të papranueshme ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. 180 vite burg janë kërkuar për udhëheqësit e UÇK-së, një aktakuzë e padëgjuar, ndërsa për askënd nga përgjegjësit e ushtrisë serbe në Kosovë nuk ka pasur masa të tilla. Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërpresë menjëherë punimet, të ngarkojë Hasanin dhe Shehun në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe të përgatisë urgjentisht një deklaratë që të mbështetet nga të gjitha palët në Kuvend, për t’i bërë të qartë Hagës dhe çdo aktori tjetër se populli shqiptar nuk mund të lejojë që të hedhë baltë mbi një luftë çlirimtare si ajo e Kosovës dhe e UÇK-së. Kjo deklaratë duhet të publikohet menjëherë!”, tha Balla, dhe propozimi u miratua pa kundërshtim./Versus.al


