Live Updates /

Tension në Kuvend: Peleshi i fik mikrofonin Berishës, deputetët e PD-së bllokojnë foltoren

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

3 Postime
1 ORE ME PARE

Balla kërkon ndërprerjen e punimeve të Kuvendit dhe deklaratë urgjente kundër aktakuzës për ish-krerët e UÇK-së

Tension në Kuvend: Peleshi i fik mikrofonin Berishës, deputetët e
Taulant Balla

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, riktheu në vëmendje gjyqin që po zhvillohet në Hagë për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesën e prokurorisë për 180 vite burg për Veselin, Thaçin, Selimin dhe Krasniqin (45 vite secilit).

Balla propozoi ndërprerjen e punimeve të parlamentit dhe ngarkimin e dy përfaqësuesve nga mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Politikës së Jashtme për përgatitjen e një deklarate urgjente të Kuvendit, e cila të shprehë revoltën ndaj aktakuzës.

“Ditën e hënë u njoftuam me një aktakuzë të papranueshme ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. 180 vite burg janë kërkuar për udhëheqësit e UÇK-së, një aktakuzë e padëgjuar, ndërsa për askënd nga përgjegjësit e ushtrisë serbe në Kosovë nuk ka pasur masa të tilla. Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërpresë menjëherë punimet, të ngarkojë Hasanin dhe Shehun në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe të përgatisë urgjentisht një deklaratë që të mbështetet nga të gjitha palët në Kuvend, për t’i bërë të qartë Hagës dhe çdo aktori tjetër se populli shqiptar nuk mund të lejojë që të hedhë baltë mbi një luftë çlirimtare si ajo e Kosovës dhe e UÇK-së. Kjo deklaratë duhet të publikohet menjëherë!”, tha Balla, dhe propozimi u miratua pa kundërshtim./Versus.al

2 ORE ME PARE

Tension në Kuvend: Peleshi i fik mikrofonin Berishës, deputetët e PD-së 'turren' drejt foltores

Tension në Kuvend: Peleshi i fik mikrofonin Berishës, deputetët e

Mes tensioneve ka nisur seanca plenare e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë. Fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha në foltore shkaktoi ndërhyrjen e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i fik mikrofonin për shkak të përdorimit të një fjalori të papërshtatshëm në sallë.

Pas ndërprerjes së fjalës së Berishës, deputetët e tij formuan një “zinxhir” në foltoren e Kuvendit, duke kërkuar që kryetari t’i jepte sërish fjalën kreut të Partisë Demokratike.

“Uluni në vendet tuaja, nuk mund të lejoj këtë lloj fjalori në Parlament ndërsa unë jam kryetar. Zini vendet, ndërpritet fjala”, tha Peleshi.

Berisha vazhdoi të insistojë për të marrë fjalën, por Peleshi ia kaloi fjalën deputetëve të tjerë të opozitës, të cilët, për shkak të “ndëshkimit” ndaj kreut të tyre, vendosën të bojkotojnë radhën e tyre.

“Nuk mund të marr unë fjalën kur ju i prisni fjalën kryetarit të opozitës, duhet ta respektoni këtë,” u shpreh deputeti Bujar Leskaj./Versus.al

4 ORE ME PARE

Sot seancë plenare në Kuvend: Interpelanca me Kumbaron, pyetje për ministren Sala dhe projektligje për votim

Tension në Kuvend: Peleshi i fik mikrofonin Berishës, deputetët e

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mblidhen sot në seancën e radhës plenare, ku në fokus pritet të jenë interpelancat dhe shqyrtimi i disa projektligjeve të rëndësishme.

Në rendin e ditës janë parashikuar dy interpelanca me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Njëra është kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho, e cila kërkon sqarime për sigurinë në shkolla pas disa ngjarjeve të rënda ku të mitur kanë humbur jetën si pasojë e përplasjeve me bashkëmoshatarët.

Tjetra është kërkuar nga deputeti Erald Kapri, i cili kërkon të dijë masat që ka marrë qeveria për të adresuar fenomenin e dhunës në ambientet shkollore.

Ndërkohë, deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, për të marrë shpjegime lidhur me funksionimin jo të plotë të shërbimit në qendrën shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”.

Seanca do të shqyrtojë gjithashtu një sërë nismash ligjore dhe projektvendimesh, mes tyre ndryshime në ligjin për akcizat, shtesa në ligjin për TVSH-në, amendime në ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe projektligjin për shërbimin e jashtëm.

Në votim do të kalojnë edhe vendime që lidhen me strukturën dhe pagat e personelit me kohë të pjesshme të angazhuar në përpunimin e materialeve zgjedhore në KQZ, si dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare.

Klima politike pritet të jetë e tensionuar pas protestës së Partisë Demokratike dy ditë më parë, e cila u shoqërua me incidente dhe përplasje, ku u raportua për dhunë ndaj forcave të policisë dhe përfaqësuesve të medias.

Seanca plenare është caktuar të nisë në orën 10:00, ndërsa administrata e Kuvendit është ngarkuar me publikimin e rendit të ditës, njoftimin elektronik të deputetëve dhe përgatitjen e dokumentacionit përkatës./Versus.al

Poll