Çfarë do të gjeni në brendësi
I thyen këmbët dhe i prenë veshin, zbardhen detaje tronditëse nga sulmi i ish-kreut të PD-së në Lezhë
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e së shtunës në autostradën Mamurras–Laç, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit, ku është dhunuar barbarisht ish-kryetari i Partisë Demokratike në njësinë administrative të Dajçit në Lezhë, Sokol Toma.
Mësohet se persona ende të paidentifikuar i kanë prerë rrugën dhe e kanë goditur Tomën me sende të forta në makinën e tij, duke e lënë të plagosur.
Bëhet me dije se Toma ka pësuar lëndime të rënda fizike nga dhunimi barbar.
Raportohet se 53-vjeçarit i janë thyer këmbët dhe i është prerë një pjesë e veshit.
Po ashtu, mediat raportojnë se autorët kanë qenë të maskuar dhe, pasi e kanë sulmuar me sende të forta, i kanë marrë edhe telefonin celular.
Më pas, ai është gjetur nga kalimtarët në makinë, në gjendje shoku, dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Për momentin, raportohet se Sokol Toma ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar për çështjen./Versus.al
Dhunohet rëndë ish-kryetari i PD-së në Lezhë, përfundon në Spitalin e Traumës

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Lezhë mbrëmjen e kaluar, ku është dhunuar ish-kryetari i PD-së në njësinë administrative të Dajçit në Zadrimë, Sokol Toma.
Sipas informacioneve, 53-vjeçari është goditur me sende të forta dhe më pas është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, për mjekim më të specializuar për shkak të dëmtimeve të marra.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në autostradën Mamurras–Laç, në zonën e Sanxhakut.
Dyshohet se persona të paidentifikuar e kanë sulmuar fizikisht, por ende nuk dihen motivet e këtij incidenti.
Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po sqarohen rrethanat e plota të ngjarjes./Versus.al

