Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një event që u mbajt për zgjerimin e sipërmarrjes në Shqipëri. Ai tha se ekonomia shqiptare sot është në një stad tjetër dhe se për këtë gjë, sa më shumë që njerëzit dëgjojnë shifra pozitive, aq më shumë acarohen. Sipas tij, kjo është shenjë e zhvillimit. *Sa i takon rënies drastike të monedhës europiane, Rama tha se nuk ka rënie të euros, por forcim të lekut. Rama shtoi se kjo gjë nuk tregon pastrim parash, por futjen në sistem të eurove që vijnë nga turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë. *Të njëjtin qëndrim kishte edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, e cila tha se disa qindra miliona euro të ardhura nga krimi nuk ndikojnë ekonominë shqiptare.
“Nuk ka rënë euro, është forcuar leku”, Rama: Tregon forcimin e ekonomisë, jo pastrim parash

Kryeministri Edi Rama, teksa foli për ekonominë e vendit, e lidhi rënien e euros me faktin që ekonomia është forcuar dhe jo me pasojat nga pastrimi i parave të pista. Sipas Ramës, turizmi ka sjellë një impakt të tillë që leku të forcohet dhe tanimë ekonomia të jetë në një fazë tjetër.
“Kur dëgjojnë përgjigjen më të natyrshme, se është forcuar leku, sikur kapin gafil dikë se ka thënë një gafë. E vërteta nuk është se ka rënë euro, por se është forcuar leku. E vërteta është se leku është pasqyrë e një ekonomie tjetër që nuk është ekonomia që ka qenë. Kemi aeroportin më të madh në rajon, mbi Beogradin për të disatin vit. Ata subvencionojnë atje, nuk e durojnë dot fare që Tirana e ka kaluar dhe ka lënë prapa aeroportin që ka qenë kryeqendra e Ballkanit. Këto nuk janë mollë që lëvizin në një kontejner, por para, para që hyjnë në këtë ekonomi. Si të mos forcohet euro? Shumë e thjeshtë” - tha Rama mes të tjerash. Versus.al
Pastrimi i parave, Ibrahimaj: Disa qindra mln euro, s'ndikojnë ekonominë! Tregon se institucionet funksionojnë

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka folur sot për pastrimin e parave dhe ndikimin e këtij fenomeni kriminal në ekonominë shqiptare. Pavarësisht hetimeve të SPAK që kanë zbuluar grupe kriminale që mund të kenë investuar miliarda euro në total në sektorin e ndërtimit dhe fusha të tjera biznesi për pastrimin e parave të drogës, sipas Ibrahimajt, bëhet fjalë për qindra mln euro që nuk kanë ndonjë ndikim në sektorët e ekonomisë shqiptare.
“Në shumë artikuj e diskutime shoh të artikulohet periudha 2021/2025 kur ka pasur një bum ndërtimi dhe artikulohet se në këtë moment ka pasur fluks të parave të pista të ekonomisë ilegale që hyjnë e pastrohen në Shqipëri. E vërteta është se në këtë moment Shqipëria ka dalë nga lista gri pas përmbushjes të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare për të adresuar dhe forcuar të gjithë sistemin.
Kur i referohemi disa qindra miliona eurove që janë konfiskuar nga një sistem shqiptar i ngritur vitet e fundit, duhet të kuptojmë se ato qindra miliona janë një fraksion shumë i ulët i 8.5 mld eurove që kanë hyrë në ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë se janë qindra miliona euro që janë arritur të konfiskohen për hir të forcimit të institucioneve shqiptare. Nuk tregojnë se në Shqipëri ka më shumë para informale, por që bëjnë detyrën e tyre dhe vazhdojnë ta bëjnë. Nuk mund të konsiderohen 200-300 milionë euro si madhësi që ndikon sektorët e ekonomisë” - tha Ibrahimaj. Versus.al
"Sa më pozitive të jetë ekonomia, aq më shumë njerëzit acarohen", Rama: Shenjë e zhvillimit të vendit
Kreu i qeverisë, Edi Rama mori pjesë në eventin “Dyfisho sipërmarrjen tënde” ku u fol për mbështetjen e qeverisë ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme. Duke folur për një rritje ekonomike dhe të numrit të bizneseve, Rama tha se sa më shumë që shifrat për ekonominë janë pozitive, aq më shumë acarohen njerëzit.
Sipas tij, ky është një shenjë e zhvillimit të vendit pasi njerëzve nuk u intereson më se ku ka qenë vendi, por se ku duhet të jetë.
“Në këtë kohë që jemi sa më pozitive të jenë shifrat për ekonominë, aq më shumë acarohen njerëzit. Sa herë të thuash se bizneset janë shtuar, do të përballesh vetëm me të kundërtën e efektit që bën një lajm i mirë. Unë për veten time kam krijuar bindjen se kjo është një shenjë shumë domethënëse e zhvillimit.
Kjo nuk është një shenjë e një shoqërie që nuk e sheh progresin, por e një shoqërie që kërkon shumë më tepër progres, e do tani dhe nuk do t’ia dijë se nga vjen. Brezat që e vlerësonin shumë rrugën për t’i arritur gjërat, ka ndryshuar totalisht. Gjithnjë e më pak njerëzve u intereson se ku kemi qenë. Gjithnjë e më shumë referimi te rruga e bërë, i acaron njerëzit.
Suksesi i të tjerëve është një arsye për të kërkuar suksesin edhe për vete dhe çdo dallim me të tjerët është një arsye për t'u acaruar kur rruga thotë se duhet bërë durim. Prandaj kjo nismë është shumë e rëndësishme. Njerëzit kërkojnë mundësi të reja, që nuk kanë përse të mos i kërkojnë nga qeveria. Raportin e besimit e krijojnë pritshmëritë, jo arritjet” - u shpreh ai mes të tjerash. Versus.al

