Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama së bashku me kryenegociatoren për kapitullin e ‘’Prokurimeve Publike’’ në negociatat për anëtarësim në BE, mbajti një konferencë për mediat para të cilave u shpreh se Shqipëria ka shënuar rritje krahasuar me vendet evropiane sa i takon konkurrencës në procedurat e tenderave. *Rama dha gjithashtu edhe lajmin e krijimit të një tjetër kompanie shtetërore për teknologjinë duke theksuar se AKSHI nuk do ishte agjencia e vetme e këtij lloji. *Sa i takon pyetjes për ligjin e porteve turistike, Rama tha se ndryshimi i votuar nga socialistët mundëson që investitorët të mund të ndërtojnë vetë marinën e tyre pa marrë pjesë në ndonjë garë e cila mund të nxiste konflikte mes palëve.
Ndryshimi i ligjit për portet turistike, Rama: Investitorët do të mund të ndërtojnë marinën e tyre pa garë

Kreu i qeverisë Edi Rama foli për ligjin e votuar një muaj më parë për mundësinë që investitorët strategjikë të mund të ndërtojnë porte turistike pa garë. Rama tha se ndryshimi i bërë në ligjin e propozuar nga deputetja Zamira Sinaj, lidhet me rastin kur dikush investon për një resort turistik dhe do të bëjë një marinë.
Sipas tij, ndryshimi i jep mundësinë investitorit që të ndërtojë vetë marinën pa hyrë në garë me dikë me të cilin do të nisnin më pas konfliktet.
‘’Ne kemi bërë një ndryshim të vetëm për të hequr mundësinë e një pasoje absurde. Ndryshimi nuk lidhet me garat, fare zero, hiç. Nëse ne duam të japim një koncesion apo duam një partneritet për të ndërtuar një port turistik, bëhet vetëm me garë. Ndryshimi lidhet me rastet kur dikush investon për një resort turistik dhe do të bëjë një marinë. Me ligjin e pandryshuar, për marinën e bërë pranë resortit të tij duhet garë që të vijë një tjetër dhe të nisë një sherr që nuk do të mbarojë kurrë.
Ne na shkaktoi si pasojë për shkak se nuk kishim bërë diferencën mes rasteve kur ndërtohet një port turistik dhe jepet një koncesion dhe rasteve kur vetë investitorët që kanë pronësinë, duan të bëjnë një marinë. Natyrisht si në gjithë planetin duhet ta bëjnë duke paguar detyrimet përkatëse dhe duke e ndërtuar vetë. Shikoni ju këtu ndonjë habit të madhe? Nuk ka asnjë përveç harbimit të atyre që e duan me çdo kusht Shqipërinë të bllokuar’’- tha Rama. Versus.al
''AKSHI nuk do funksionojë më i vetëm'', Rama njofton krijimin e kompanisë të re shtetërore për teknologjinë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se AKSHI nuk do të funksionojë më si strukturë e vetme, por si institucion i ndarë me një shoqëri të re publike, Albanian Digital Solution me administrator Saimir Kapllani.
‘’AKSHI tanimë nuk është një dhe i vetëm do funksionojë i ndarë me një shoqëri të re publike, Albanian Digital Solution e cila do jetë një kompani 100% shtetërore që do synojë të rekrutojë më të mirët e tregut dhe t’i paguajë më mirë se kushdo në treg dhe të bëhet një forcë udhëheqëse në teknologji.
Shqipëria është e para në rajon për prokurimet publike. Natyrisht që kemi ende një sërë problemesh për të adresuar, por çfarë tregojnë këto rezultate është se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet vetëm nga drejtësia, por reformat modernizuese. Nuk janë sistemet që korruptojnë njerëzit dhe sistemi që ne kemi ngritur është gjithmonë e më pak i korruptueshëm’’- deklaroi Rama.
Ky është veprimi i radhës i kreut të qeverisë lidhur me AKSHI-n që pas skandalit me tenderat miliona eurosh tek të cilat SPAK gjeti shkelje të shumta. Versus.al
Konkurrenca në tendera, Rama: Shqipëria ka avancuar krahasuar me shtetet evropiane

Kreu i qeverisë, Edi Rama ditën e sotme zhvilloi një konferencë për mediat së bashku me negociatoren për kapitullin 5 ‘’Prokurimi Publik’’, Reida Kashtën me qëllim informimin e qytetarëve për ecurinë e këtij kapitulli themelor për integrimin e vendit në BE.
Sipas Ramës, sa i takon prokurimeve publike, Shqipëria ka bërë përparim krahasuar me vendet e BE duke u renditur mes shteteve që i përafrohen standartit të vendosur nga BE për konkurrueshmërinë.
‘’Nëse e vendosim më kontekst pozicionin e vendit tonë në indikatorët thelbësore që përcakton BE, konkurrueshmëria, nëse në mesatare kontratat me një ofertues përbejnë 32.3% të kontratave në vendet e BE, për Shqipërinë ato janë 23.5%. Nëse në BE janë një grup i madh vendesh që fillojnë nga 57.4% e zbresin deri në 35.8%, Shqipëria është mes tyre dhe vendeve si Suedia 22.9, Gjermania 22.6, Finlanda 20.3, Franca 20 dhe vendi ynë është mbi këto me shumë pak, pra 23.5%.
Në numrin e ofertuesve për procedurë që raporti e përcakton si 3.2% ofertues për procedurë në mesataren e BE, Shqipëria është në 3.7 ofertues mesatarisht. Më tutje, në Shqipërinë e vitit 2025, numri i prokurimeve publike që janë mbyllur si fitues dhe me 1 ofertues është 12%, ndërsa mesatarja e BE është 14%. Shqipëria është në një fazë të avancuar të përparimit në këtë fushë dhe të pozicionimit në tryezën e negociatave në BE”, tha ndër të tjera Rama. Versus.al

