Çfarë do të gjeni në brendësi
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar mbrëmjen e së dielës, protestës së 22-të antiqeveritare, me thirrjet "Revolucion" dhe "Rama n'burg, Berisha n'burg". Ata janë mbledhur në sheshin "Skënderbej" për të vijuar më pas drejt Kryeministrisë. Në protestë raportohet se kanë mbërritur dhjetëra shqiptarë të Kosovës, ndërsa diaspora vijon të jetë në shesh duke kërkuar largimin e klasës së vjetër politike dhe ndërtimin e një Shqipërie të re.
VIDEO/ "Zgjidhja është ky shesh", diaspora elektrizon Tiranën, flamuj kuq e zi valëviten para Kryeministrisë

Protesta e 22 kundër qeverisë, që po mbahet sonte para Kryeministrisë, i është dedikuar kryesisht shqiptarëve të ardhur nga diaspora.
Një qytetar me banim në Kanada,në fjalën e tij në protestë, theksoi se edhe shumë shqiptarë në Kanada, janë të angazhuar në mbështetje të kësaj nisme.
Ai tha se kishte menduar se zgjidhja për situatën në vend mund të vinte nga diaspora, por më pas ndryshoi qëndrim, duke theksuar se përgjigjja gjendet brenda vetë qytetarëve që marrin pjesë në protestë.
“Vij nga Kanadaja e largët. Emocion i jashtëzakonshëm me qenë këtu. Mijëra shqiptarë në Kanada janë mbledhur në përkrahje të këtij sheshi. Kam menduar se zgjidhja për këtë vend vjen nga diaspora, por kam qenë gabim. Zgjidhja është në këtë shesh, na përket. Diaspora është me ju. Jemi për t’ju përkrahur. Zoti ju bekoftë të gjithëve,” u shpreh ai.
"Ne shqiptarët e kemi ves, biem në dashuri me partitë", Mehdi Malkaj flet në protestën para Kryeministrisë
Se
Aktori i njohur Mehdi Malkaj ka marrë fjalën para protestuesve të mbledhur në Tiranë, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë kundër ndikimit të forcave politike në protestë.
Në fjalën e tij, Malkaj u bëri thirrje qytetarëve që të shkëputen nga çdo ndikim partiak dhe të bashkohen si qytetarë të lirë, përtej ndarjeve politike.
Ai theksoi se protestat duhet të ruajnë karakterin qytetar dhe të mos shndërrohen në mjete të partive politike, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe qëndrimit të pavarur të pjesëmarrësve.
Mehdi Malkaj: Ne shqiptarët kemi një vesh të keq shumë, biem në dashuri me partitë. Hiqini partitë! Është turp i madh! Një filozof të madh kur e pyetën për partitë, tha se janë grupe të organizuara hajdutësh që vjedhin popullin e vet!” deklaroi aktori i mirënjohur mes duartrokitjeve të turmës.
Diaspora i bashkohet protestës në Tiranë, një nga pjesëmarrësit denoncon gjobat në dogana

Pjesë e protestës masive të zhvilluar këto dy ditë në Tiranë është bërë edhe diaspora shqiptare, e cila i është bashkuar qytetarëve në mbështetje të protestës para Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, një përfaqësues i diasporës mbajti një fjalim në podiumin e improvizuar, ku theksoi rëndësinë e bashkimit dhe jo të përçarjes mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Ai denoncoi gjithashtu, sipas tij, vendosjen e gjobave ndaj mjeteve të diasporës në pikat doganore, duke pretenduar se disa automjete janë ndaluar dhe ndëshkuar gjatë hyrjes në territorin shqiptar.
“Kemi ardhur për bashkim jo për përçarje. Sa kohë valëvitet flamuri keni përkrahjen tonë. Kemi marrë rrugë të gjatë, disa nuk munden me qëndru sot. Në doganë i kanë blloku i kanë vu gjoba. Sot është e dielë, kështu i shtyhet deri nesër me i pagu në postë. Vetëm bashkim dhe jo përçarje”, u shpreh ai para protestuesve.
VIDEO/ Rama ironizon postimet e influencerëve për protestat
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku ironizon disa postime të influencerëve lidhur me protestat që po zhvillohen prej 22 ditësh në vend dhe që kërkojnë dorëheqjen e tij nga detyra.
Në videon e publikuar në Facebook, Rama ka përfshirë disa personazhe të njohur të rrjeteve sociale, mes tyre Dea Mishel dhe Rezarta Hoxha, duke komentuar në mënyrë ironike qëndrimet e tyre për protestat.
Kryeministri e ka shoqëruar postimin me një tekst ku shkruan: “PAK RELAKS me ‘Shqipërinë e re’ të llajkefollouve të gunës. Ne kemi Shqipërinë 2030 në BE të shqiptarëve të punës”.
Sot protesta e 22-të, edhe shqiptarët e Kosovës në Tiranë për "Shqipërinë e re"
Një numër qytetarësh nga Kosova i janë bashkuar protestës së zhvilluar sot në Tiranë, duke shprehur solidaritet me protestuesit dhe pakënaqësi ndaj klasës politike në Shqipëri.
Një prej pjesëmarrësve deklaroi se kishte ardhur në kryeqytet për të mbështetur protestën dhe për të ngritur zërin kundër, siç tha ai, keqqeverisjes dhe korrupsionit në vend.
Protestuesi kritikoi ashpër drejtuesit politikë, duke i akuzuar për abuzim me pushtetin, ndërsa kërkoi që drejtësia të veprojë pa dallim ndaj të gjithë zyrtarëve, pavarësisht përkatësisë politike.
Sipas tij, ndëshkimi i korrupsionit dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë janë kushtet kryesore për ndryshimin e situatës politike dhe sociale në vend.

