Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot mijëra qytetarë u mblodhën për të protestuar kundër qeverisë në ditën e 20-të të tubimeve masive që nisën me kundërshtimin e projektit për Zvërnecin. *Si në protestat e tjera, kërkesa ishte e njëjta, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe burgosja e tij dhe e kryedemokratit Sali Berisha duke lënë kështu të kuptohet se shqiptarët duan një tjetër sistem politik pa kastën e vjetër të politikanëve. *Pas fjalimeve para qeverisë, protestuesit nisën marshimin nëpër rrugët e Tiranës, ndërsa paralajmëruan se edhe mijëra shqiptarë të diasporës kanë udhëtuar drejt vendit tonë për t’ju bashkuar protestës kombëtare që pritet të mbahet nesër në Tiranë në orën 19:00.
Pas protestës para qeverisë, me mijëra qytetarë marshojnë nëpër Tiranë

Pas protestës së zakonshme që mbahet tanimë prej 20 ditësh para qeverisë, qytetarët nisën marshimin për në rrugët e Tiranës.
Me thirrjet ‘’Rama n’burg, Berisha n’burg’’ dhe ‘’Rama jepe dorëheqjen’’, mijëra qytetarë mbushën rrugët e kryeqytetit duke kërkuar largimin e klasës së vjetër politike.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit u shprehën se të nesërmen, më 20 qershor, mijëra shqiptarë të diasporës janë nisur për të mbërritur në protestën që mbahet në Tiranë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Nesër vjen mërgata, kanë prerë biletë pa kthim”, u shpreh Arben Kola, njëri prej organizatorëve të protestës. Versus.al
''Vidhni tenderat për veshjet e policëve'', protestuesi-Ramës: Kur bie zjarr, e fikni me degë peme

Njëri prej protestuesve foli në protestë për disa prej arsyeve përse mijëra qytetarë shqiptarë kanë zgjedhur të protestojnë për 20 ditë me radhë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa foli për mungesën e prespektivës për të rinjtë protestuesi tha se edhe tenderat për uniformat e policëve janë vjedhur dhe se sa herë që ka zjarr në vend, qeveria merr avionë hua nga Evropa.
“Zoti kryeministër, keni shpërndarë disa pamje ku thoni se është një protestë mjedisore. Po e vërtetë, këtu janë dhe ata që mbështesin mjedisin, por dhe ata që jetojnë me qira. Dhe ti që do t’i lësh tërë jetën me qira. Këtu ke dhe të papunë, të arsimuar. I keni lënë në baltë. Këtu janë dhe fëmijët e vegjël që plani urbanistik i Tiranës, e ka bërë vendin për ta një burg betoni. Këtu janë dhe mjekët që ju i doni neper kurset e gjermanishtes, që doni të ikin sa më parë. Këtu janë dhe pacientët e tyre që doni që të ikin te privati. Këtu është dhe policia, që i keni vjedhur deri te tenderat e rrobave dhe këpucët që veshin. Jo vetëm mjedisi, të gjithë jemi këtu. Edhe ne jo specialistët i dimë nja dy gjëra për mjedisin, ama çdo verë shohim se si Shqipëria mbytet në zjarr në të katër anët dhe që nuk ju dolën lekët për avionë dhe i shtrijmë dorën Europën dhe i fikni zjarret me degë peme. I dimë se si vinë 4 mld dollarë, se kemi vite që paguajmë naftë më të shtrenjtë në rajon. Ju prisni që vera të nxehet dhe protesta të shuhet, që Shqipëria të digjet dhe ministrat të krihen në resorte luksoze. SPAK do të jetë në zyrë dhe në këtu, deri sa të jeni në burg të gjithë! Nuk ka shans, këtu do të jemi përditë! Edhe nesër me diasporën. Nesër më shumë.”, tha ai. Versus.al
Protestuesit sjellin betoniere në protestë, simbolikë e pastrimit të parave në ndërtim

Goditjet e fundit të SPAK ndaj shqiptarëve që drejtonin grupe kriminale ndërkombëtare të trafikut të drogës, mesa duket janë pasqyruar edhe në protestën e sotme.
Disa prej protestuesve vendosën para godinës së qeverisë një betoniere me simbolikë pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit.
Përgjimet e SkyEcc dhe takimi në Aruba të pasqyruara në dosjen voluminoze të SPAK, tregojnë sesi super-trafikantët pastronin paratë e pista duke ngritur kulla në Shqipëri. Versus.al
Dita e 20-të e protestës, mijëra qytetarë para qeverisë: Nesër vjen diaspora! Rama n'burg, Berisha n'burg

Në ditën e 20-të të protestës, sërish mijëra qytetarë janë mbledhur para godinës së qeverisë me kërkesat që tashmë përsërisin prej javësh; dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe burgosjen e tij dhe të kryedemokratit Sali Berisha.
Me një tabelë ku të dy i paraqesin ‘’non-grata’’, protestuesit kanë vijuar me thirrjet e tyre. Kjo protestë vjen një ditë pas seancës të mbajtur ditën e djeshme ku pati edhe momente tensioni mes disa prej qytetarëve dhe deputetëve të Partisë Socialiste.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama duket se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim për Zvërnecin apo të zbatojë kërkesat e protestuesve të cilët i ka cilësuar me epitete të ndryshme herë pas here. Të shtunën është thirrur sërish protestë kombëtare dhe pritet të marrin pjesë mijëra shqiptarë të ardhur nga shtete të ndryshme. Versus.al

