Çfarë do të gjeni në brendësi
Mijëra qytetarë u mblodhën këtë të martë për të 17-ën ditë radhazi para Kryeministrisë, pas një marshimi të zhvilluar nga sheshi “Skënderbej” drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Organizatorët njoftuan se, duke nisur nga dita e mërkurë, protesta do të zhvillohet në orën 19:00, një orë më vonë se zakonisht, për shkak të temperaturave të larta. Ndryshe nga ditët e mëparshme, këtë herë fokusi i protestës ishte te të rinjtë dhe studentët, të cilët morën fjalën për të shprehur shqetësimet dhe kundërshtitë e tyre ndaj qeverisë
Pas 3 orësh protestë para Kryeministrisë, mijëra qytetarë nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Mijëra qytetarë kanë vijuar protestën e tyre në Tiranë në ditën e 17-të radhazi, duke marshuar në rrugët kryesore të kryeqytetit pas qëndrimit për disa orë përpara godinës së Kryeministrisë.
Fillimisht, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga studentë e të rinj.
Gjatë fjalimeve, pjesëmarrësit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Pas përfundimit të tubimit në shesh, turma nisi marshimin në akset kryesore të Tiranës.
Sloganet e protestës ishin të njëjta, “Nesër më shumë”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Shqipëri e re”.
"Nuk duhet të bullizohen njerëzit", Robert Aliaj me tone të forta nga protesta: Nuk mund të krijojmë arrogancën, sikur ky vend i përket një padroni!

Artisti Robert Aliaj ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë protestës, ku ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama për arrogancë ndaj qytetarëve të saj.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë, duke thënë se një qeveri që nuk mbështet interesat e qytetarëve është “armike e tyre”, ndërsa kërkoi më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga zyrtarët publikë.
“Ky lider injorant të japë dorëheqjen… Nuk mund të lejojmë një lider që flet në emër të çdo institucioni”, u shpreh ai gjatë fjalës së tij.
Duke iu referuar protestave studentore të vitit 2018, Aliaj tha se ato lëvizje u mbështetën me zemër, por sipas tij nuk arritën objektivat për shkak të ndërhyrjeve dhe interesave politike.
“Në 2018 kemi qenë në protestën e studentëve dhe i kemi mbështetur me zemër. Sia dolëm me studentët se na i shkatërruan të gjitha interesat. Historia po përsëritet”, u shpreh ai.
Robert Aliaj: Në 2018 kemi qenë në protestën e studentëve dhe i kemi mbështetur me zemër.
S'ia dolëm me studentët se na i shkatërruan të gjitha interesat. Historia po përsëritet. Nuk duhet të përsëritet historia. Ky maskarai këtu ta marrë vesh. Dua ti bëj thirrje institucioneve publike dhe private, që kanë përgjegjësi, të vinë këtu të shprehen.
Një qeveri që nuk mbështet interesat tuaja, është armiku juaj. Nuk mund të krijojmë arrogancën, sikur ky vend i përket një padroni. Nuk mund të lejojmë një lider që flet në emër të çdolloj institucion.
Këtu nuk ka ministra. I bëj thirrje dhe përfaqësuesve të shtetit, njërëz të zgjedhur nga ju. Këtyre ministrave që nuk kanë këllqe, bole, të dalin dhe të flasin. Ky është precedent i keq për PS. Ky lider injoron duke mos të dhënë mundësi që të flasësh. Është detyrim që të flasësh. Mos të dalë e të bullizojë njerëzit. Ai po i bën keq të gjithëve.
Gala Dragot merr fjalën në protestën masive në Tiranë: Mos lejoni që lëvizja juaj të dështojë si ajo e studentëve në vitin 2018

Gala Dragot, vajza e artistit Robert Aliaj, ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për protestuesit, duke i inkurajuar të rinjtë të vazhdojnë angazhimin e tyre qytetar dhe të mos lejojnë që protesta të humbasë qëllimin e saj.
Duke folur para pjesëmarrësve, ajo tha se edhe pse nuk ka lindur në Shqipëri, është rritur në një familje të lidhur ngushtë me zhvillimet dhe problematikat e vendit.
“Unë jam Gala Dragot, ju kam ndjekur nga Brukseli. Nuk kam lindur në Shqipëri, por jam rritur në një familje shumë të lidhur me problemet e Shqipërisë. Jam shumë e lumtur që jeni të ndërgjegjshëm dhe shprehni atë që ndjeni për të ardhmen që dëshironi”, u shpreh ajo.
Dragot kujtoi gjithashtu pjesëmarrjen e saj në protestat studentore të vitit 2018, duke theksuar se ato kishin ngjallur shpresë të madhe te të rinjtë, por sipas saj nuk arritën të përmbushnin objektivat për shkak të ndërhyrjeve politike.
“Kam marrë pjesë me babain tim në protestat e studentëve në vitin 2018, kur isha 13 vjeçe. Më kujtohet se sa shumë shpresë na jepnin. Por ajo protestë dështoi si pasojë e futjes së rrymave të korruptuara”, tha ajo.
Në përfundim të mesazhit të saj, Gala Dragot u bëri thirrje protestuesve të ruajnë pavarësinë e lëvizjes dhe të mos lejojnë ndikimin e interesave politike.
“Mos i lejoni elementët politikë të dëmtojnë protestën tuaj”, apeloi ajo.
Pjesë nga fjala
Unë jam Gala Dragot, ju kam ndjekur nga Brukseli. Nuk kam lindur në Shqipëri por jam rritur në një familje shumë të lidhur me problemet e Shqipërisë. Jam shumë e lumtur që jeni të ndërgjegjshëm kur thoni ato që ndjeni dhe doni të keni të ardhmen që doni.
Unë kam marrë pjesë me babain tim në protestat e studentëve në 2018 kur isha 13 vjeç. Më kujtohet se na mbushnin me shpresë. Por ajo protestë dështoi si pasojë e futjes së rrymave të korruptuara dështoi.
Mos i lejoni elementet politikë të dëmtojnë protestën tuaj
Protesta e 17-të kundër qeverisë, studentja i përgjigjet Ramës: Punë në Shqipëri ka, por merret me mik

Protesta e 17-të para Kryeministrisë u zhvillua këtë të martë me pjesëmarrjen e të rinjve dhe studentëve nga Shqipëria dhe diaspora, të cilët ngritën shqetësimet e tyre për papunësinë, mungesën e meritokracisë dhe perspektivën e të rinjve në vend.
Gjatë fjalimeve, studentët denoncuan vështirësitë për të gjetur punë, pavarësisht arsimimit dhe kualifikimeve profesionale. Një studente kritikoi mungesën e lirive themelore dhe fenomenin e nepotizmit në tregun e punës, duke theksuar se ekziston një hendek i madh mes të drejtave të garantuara në ligj dhe realitetit që përjetojnë qytetarët.
“Punë ka, por shpesh merret me mik. Shumë të rinj ndihen të privuar nga të drejtat dhe mundësitë që meritojnë”, u shpreh ajo gjatë protestës.
Një tjetër student deklaroi se të rinjtë nuk janë kundër investimeve, por kundërshtojnë projektet që, sipas tyre, nuk shoqërohen me transparencë.
“Ne nuk jemi kundër investimeve, por kundër vjedhjeve dhe pasurimit të politikanëve apo oligarkëve në kurriz të qytetarëve. Shqipëria do të ndërtohet nga të rinjtë që besojnë tek ndryshimi”, tha ai.
Gjatë tubimit pati edhe reagime ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestat. Një nga protestuesit u shpreh se lëvizja qytetare do të vijojë dhe se pjesëmarrësit nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.Versus.al
Profesori Lush Susaj në protestë: Studentët janë më të masakruarit në 35 vjet, ka ardhur koha të reagojmë për brezin e ri!

Profesori Lush Susaj, në universitetin Bujqësor, ishte ndër të parët që mori fjalën në protestën e 17-të qytetare kundër qeverisë që po mbahet para Kryeministrisë.
Pedagogu tha se, studentët janë më të masakruarit në 35 vjet. Ai u bëri thirrje protestuesve të reagojnë për brezin e ri dhe mos të përsëritet skenari i vitit 1992.
“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Studentët janë pjesa më delikate dhe e masakruar në 35 vjet! S’ka vend në botë që i ka masakruar shkollat dhe universitetet si Shqipëria! Ju flet një njeri që fëmijën e tij e ka arsimuar në Shqipëri dhe e ndien çdo ditë dhimbjen se do të ikë jashtë. Është koha të reagojmë për brezin e ri dhe mos të mashtrohemi më si më 1992!”, tha profesori Susaj.Versus.al
Sot protesta e 17-të qytetare kundër qeverisë/ Ndryshon orari për shkak të temperaturave, nga e mërkura fillon në orën 19:00

Sot është dita e 17-të e protestës dhe në sheshin “Skënderbej” ka nisur grumbullimi i qytetarëve.
Sipas itinerarit të zakonshëm prej më shumë se 2 javësh, qytetarët nisin marshimin më pas drejt Kryeminnistrisë.
Organizatorët kanë menduar të ndryshojnë orarin e protestës në ditët në vijim, për shkak të temperaturave të larta.
Një prej protestueseve tha se tashmë frika është thyer dhe se askush nuk do të ndalet deri në rrëzimin e Ramës.
“Nuk do të ndalemi, tashmë frika është thyer. Do të shtyjmë orarin e protestës, sepse është vapë”, thonë qytetarët.

