Live Updates /

VIDEO/ Protestues të maskuar hoqën flamurin izraelit, reagojnë MEPJ dhe Komuniteti Hebraik Shqiptar: Akt i papranueshëm!

*Gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, një protestues i maskuar hoqi dhe përdhosi flamurin e Izraelit pranë ambasadës izraelite, ndërsa pamjet e incidentit u shpërndanë më pas në rrjetet sociale. *Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e dënoi ashpër ngjarjen, duke e cilësuar si akt urrejtjeje dhe intolerance që nuk lidhet me të drejtën për protestë paqësore. *Komuniteti Hebraik Shqiptar e quajti incidentin një “sinjal alarmi”, duke shprehur shqetësim për normalizimin e gjuhës antisemitike dhe thirrjeve kundër Izraelit gjatë protestës. * Si MEPJ ashtu edhe Komuniteti Hebraik Shqiptar u bënë thirrje institucioneve të hetojnë ngjarjen, të identifikojnë autorët dhe të mbrojnë vlerat e tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, një protestues i maskuar hoqi dhe përdhosi flamurin e Izraelit pranë ambasadës izraelite, ndërsa pamjet e incidentit u shpërndanë më pas në rrjetet sociale. *Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e dënoi ashpër ngjarjen, duke e cilësuar si akt urrejtjeje dhe intolerance që nuk lidhet me të drejtën për protestë paqësore. *Komuniteti Hebraik Shqiptar e quajti incidentin një “sinjal alarmi”, duke shprehur shqetësim për normalizimin e gjuhës antisemitike dhe thirrjeve kundër Izraelit gjatë protestës. * Si MEPJ ashtu edhe Komuniteti Hebraik Shqiptar u bënë thirrje institucioneve të hetojnë ngjarjen, të identifikojnë autorët dhe të mbrojnë vlerat e tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.

3 Postime
2 ORE ME PARE

Publikohen pamjet, kur protestues të maskuar heqin flamurin në ambasadën e izraelit

VIDEO/ Protestues të maskuar hoqën flamurin izraelit, reagojnë

Janë bërë publike pamjet e incidentit të ndodhur gjatë protestës së së shtunës në Tiranë, ku një person i maskuar ka hequr flamurin e Shtetit të Izraelit pranë Ambasadës së Izraelit.

Ngjarja u regjistrua gjatë protestës së mbajtur në kryeqytet, ku qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora u mblodhën për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshime politike.

Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur protestuesi ngjitet pranë zonës së muzeut “Shtëpia me Gjethe” dhe largon flamurin izraelit, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve dhe kalimtarëve.

Pas incidentit ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila e dënoi ashpër ngjarjen. Në deklaratën zyrtare, MEPJ e cilësoi heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Izraelit si një akt të papranueshëm, që nuk lidhet me të drejtën për protestë paqësore dhe bie ndesh me vlerat demokratike dhe traditën shqiptare të respektit dhe bashkëjetesës./Versus.al

 

 

2 ORE ME PARE

Komuniteti Hebraik Shqiptar dënon ashpër përdhosjen e flamurit izraelit gjatë protestës: Shqipëria nuk është vend i antisemitizmit!

VIDEO/ Protestues të maskuar hoqën flamurin izraelit, reagojnë

Komuniteti Hebraik Shqiptar ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku u hoq dhe u përdhos flamuri i Shtetit të Izraelit pranë ambasadës izraelite.

Në një deklaratë zyrtare, komuniteti e cilësoi ngjarjen si një akt të rëndë dhe alarmues, duke theksuar se përdhosja e flamurit të një shteti sovran nuk mund të konsiderohet formë proteste, por përbën një shfaqje urrejtjeje dhe një sulm ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike.

Shqetësim të veçantë Komuniteti ngriti edhe për deklaratat e artikuluara gjatë protestës kundër Izraelit, të cilat sipas Komunitetit Hebraik Shqiptar përbëjnë një gjuhë të rrezikshme dhe përçarëse që nuk ka pasur kurrë vend në shoqërinë shqiptare.

Deklarata zyrtare e Komunitetit Hebraik Shqiptar:

Komuniteti Hebraik Shqiptar shpreh tronditjen, indinjatën dhe shqetësimin e tij më të thellë për aktin e rëndë të përdhosjes së flamurit të Shtetit të Izraelit pranë Ambasadës së Izraelit në Tiranë, si dhe për thirrjet publike të urrejtjes kundër Izraelit të artikuluara gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e kaluar.

Ky nuk është thjesht një incident. Ky është një sinjal alarmi.

Përdhosja e flamurit të një shteti sovran dhe mik të Republikës së Shqipërisë nuk është një formë proteste.

Është një akt urrejtjeje, një sulm ndaj normave të së drejtës ndërkombëtare, ndaj misioneve diplomatike dhe ndaj vetë kulturës së tolerancës që ka bërë Shqipërinë të nderohet në mbarë botën.

Akoma më alarmuese janë deklaratat e dëgjuara nga foltorja e protestës, ku persona të caktuar shpallën publikisht se “Izraeli është armiku ynë.” Kjo është një gjuhë e rrezikshme, përçarëse dhe nxitëse e urrejtjes, e cila synon të importojë në Shqipëri konflikte dhe narrativa ekstremiste që nuk kanë pasur kurrë vend në shoqërinë shqiptare.

Komuniteti Hebraik Shqiptar e konsideron këtë zhvillim jashtëzakonisht shqetësues, pasi për herë të parë po vërehen përpjekje të hapura për të normalizuar gjuhën antisemitike në hapësirën publike shqiptare. Historia ka treguar se antisemitizmi nuk fillon me dhunë; ai fillon me fjalë, me propagandë, me demonizim dhe me heshtjen përballë tyre. Pikërisht për këtë arsye, çdo akt i tillë duhet të dënohet menjëherë dhe pa asnjë relativizim.

Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të lejojë që individë të maskuar apo grupe radikale të njollosin reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë. Ky është vendi që gjatë Holokaustit mbrojti hebrenjtë kur pjesa më e madhe e Evropës i dorëzonte drejt vdekjes. Shqipëria u bë simbol i Besës, i humanizmit dhe i guximit moral. Ky është identiteti ynë kombëtar dhe askush nuk ka të drejtë ta zëvendësojë atë me gjuhën e urrejtjes.

Ne theksojmë qartë se e drejta për të protestuar është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike. Por kjo e drejtë përfundon në momentin kur ajo shndërrohet në nxitje të urrejtjes, në përdhosje të simboleve shtetërore, në sulme ndaj përfaqësive diplomatike dhe në thirrje që ushqejnë antisemitizmin.

Komuniteti Hebraik Shqiptar përshëndet reagimin e menjëhershëm dhe të qartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila dënoi këtë akt të papranueshëm. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë me seriozitet maksimal këtë ngjarje, të identifikojnë autorët dhe organizatorët e këtyre akteve dhe të garantojnë se Shqipëria nuk do të bëhet terren për propagandën e urrejtjes, antisemitizmit apo ekstremizmit.

I bëjmë thirrje gjithashtu të gjithë spektrit politik, medias, shoqërisë civile, komuniteteve fetare dhe çdo qytetari të përgjegjshëm që të refuzojnë pa mëdyshje çdo përpjekje për të mbjellë urrejtje ndaj hebrenjve apo ndaj Shtetit të Izraelit. Heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është neutralitet; është rrezik.

Komuniteti Hebraik Shqiptar mbetet i vendosur të mbrojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar marrëdhënia historike mes popullit shqiptar dhe popullit hebre: respektin, dinjitetin, solidaritetin dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.

Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë kurrë vend i antisemitizmit. Ata që përpiqen të importojnë urrejtjen në vendin tonë nuk përfaqësojnë Shqipërinë, nuk përfaqësojnë popullin shqiptar dhe nuk përfaqësojnë historinë tonë. Historia e Shqipërisë është histori e Besës, jo e urrejtjes./Versus.al

3 ORE ME PARE

Heqja e flamurit të Ambasadës së Izraelit nga protestues të maskuar, MEPJ: Akt i papranueshëm

VIDEO/ Protestues të maskuar hoqën flamurin izraelit, reagojnë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së mbrëmjes së të shtunës në Tiranë, ku u hoq dhe u përdhos flamuri i Ambasadës së Izraelit.

Në një deklaratë zyrtare, institucioni e cilësoi ngjarjen si një akt të papranueshëm, duke theksuar se veprime të tilla nuk lidhen me ushtrimin e lirisë së shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore, por përfaqësojnë shfaqje të urrejtjes dhe intolerancës.

Ministria nënvizoi se incidenti bie ndesh me vlerat demokratike, traditën shqiptare të mikpritjes dhe respektit për tjetrin, duke shtuar se akte të tilla nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë dhe as shtetin shqiptar.

Reagim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme.

Veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike dhe standardet evropiane që kemi ndërtuar dhe po forcojmë çdo ditë.

Ato janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel dhe i çmon me përkushtim.

Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, vlera që kanë karakterizuar shoqërinë tonë për breza me radhë.

Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë, as popullin shqiptar. Përfaqësojnë vetëm ata që kërkojnë të provokojnë, të përçajnë dhe të përhapin urrejtje, duke shpërdoruar dhe keqpërdorur në mënyrë të qëllimshme të drejtat dhe liritë.

Ministria riafirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Ne shprehim solidaritetin tonë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe theksojmë se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike./Versus.al

Poll