AKTUALITET /

Shpërthen protestë dhe në Kakome, banorët e irrituar shembin rrethimin e kompanisë së Luan Lekës

Shkruar nga Versus

Shpërthen protestë dhe në Kakome, banorët e irrituar shembin

Banorë të Nivicës, Shën Vasilit, pronarë tokash në Kakome, emigrantë dhe qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit protestuan këtë të diel në Gjirin e Kakomesë, duke shembur rrethimin që prej 22 vitesh mbante të izoluar një prej zonave më të bukura dhe më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Dy ditë para protestës së paralajmëruar ishte hequr porta metalike që pengonte hyrjen e qytetarëve në këtë zonë. Ndërkohë, raportohet, por ende pa konfirmim zyrtar, se Bashkia e Himarës ka ndërhyrë për heqjen e portës dhe të telave në hyrje të plazhit.

Prona në Kakome administrohet prej rreth 18 vitesh nga kompania “Riviera”, e cila e ka marrë me qira për 99 vite nga shteti shqiptar gjatë qeverisjes së Sali Berishës, në një proces që ka ngjallur debate dhe kundërshtime ndër vite.

Kakomeja ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes publike. Në vitin 2021 pati akuza dhe pretendime për falsifikim dokumentesh lidhur me përfitimin e 18.5 hektarëve tokë shtetërore buzë detit nga biznesmeni Luan Leka.

Në gusht të po atij viti, Leka, pjesë e grupit të investitorëve të shoqërisë “Riviera Kakome”, deklaroi se me mbështetjen e bankave ishte drejt nisjes së një investimi prej 70 milionë eurosh në Gjirin e Kakomesë.

Projekti parashikonte ndërtimin e një resorti turistik me pesë yje dhe 375 dhoma, por ai mbeti vetëm në letër. Edhe sot, në këtë perlë të bregdetit shqiptar me ujëra të kristalta, nuk është realizuar asnjë investim i tillë./Versus.al

 

 

Poll