
Deputeti i Partisë Socialiste, Admir Kadeli, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara javët e fundit, duke iu drejtuar të gjithë atyre që kërkojnë ndryshime politike në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kadeli theksoi se kushdo që beson se ka një alternativë më të mirë për Shqipërinë duhet ta provojë atë përmes garës demokratike, duke krijuar një forcë politike, duke paraqitur një program konkret dhe duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje.
“Kjo është demokracia. Le të krijojë parti, le të paraqesë program dhe le të bindë qytetarët. Pastaj të takohemi aty ku vendos populli: te kutia e votimit”, shprehet deputeti socialist.
Kadeli ngriti shqetësimin se ambiciet politike nuk duhet të ndërtohen mbi dëmtimin e interesave të vendit, duke kujtuar kostot që Shqipëria ka paguar gjatë viteve të tranzicionit nga përplasjet politike dhe pasojat e tyre në ekonomi, punësim dhe zhvillim.
Sipas tij, në ditët e sotme dëmi nuk shkaktohet më vetëm përmes shkatërrimit fizik, por edhe përmes dezinformimit, goditjes së imazhit të vendit dhe fushatave që cenojnë besimin e qytetarëve.
Reagimi i plotë:
Nëse dikush beson se ka një alternativë më të mirë për Shqipërinë, rruga është e hapur, hajde bujrum!
Le të krijojë parti. Le të paraqesë program. Le të bindë qytetarët dhe pastaj të takohemi aty ku vendos populli: TEK KUTIA VOTIMIT!
Kjo është demokracia.
Por ajo që nuk mund të pranohet është që ambicia politike të ndërtohet mbi dëmtimin e Shqipërisë sepse ne e kemi parë një herë këtë film!
Në vitet e tranzicionit, në emër të zemërimit, të revolucionit dhe të ndryshimit, vendi humbi fabrika, uzina, prona publike, vende pune dhe vite të tëra zhvillimi. Çmimin nuk e paguan politikanët. E paguan qytetaret!
Sot nuk kemi të drejtë ta përsërisim atë histori me mjete të tjera teknologjike, sepse sot nuk shkatërrohen më ndërtesat me leva, por shkatërrohet besimi me dezinformim. Dëmtohet ekonomia dhe turizmi me fushata të organizuara. Goditet imazhi i Shqipërisë me narrativa që përhapen në algoritme dhe konsumohen nga bota si e vërteta e vetme.
Askush nuk fiton kur humbet Shqipëria.
Kritika është e domosdoshme. Protesta është e drejtë. Gara politike është themeli i demokracisë, por Shqipëria nuk mund të jetë kostoja e betejës politike të askujt.
Sepse ajo që është ndërtuar me djersën e miliona shqiptarëve nuk mund të vihet në rrezik për të fituar disa mijëra pëlqime, disa minuta vëmendje apo disa vota më shumë.
Le të garojmë me ide.
Le të përballemi me projekte.
Le të na gjykojnë qytetarët.
Por Shqipërinë ta mbajmë jashtë kësaj lufte./Versus.al

