
Policia e Tiranës ka sqaruar ngjarjen e sotme në Kamëz ku u qëllua me armë zjarri nga një person.
Në njoftimin për mediat, policia thotë se rreth orës 20:25, në Babrru, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti të mbyllur (servis celularësh), dhe më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
"Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, i janë vënë në ndjekje autorit të dyshuar dhe, rreth 3 km larg vendit të ngjarjes, kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit R. M., rreth 18 vjeç, për veprime të mëtejshme procedurale.
Aktualisht, nuk ka të dhëna për persona të dëmtuar/lënduar.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të tij.
Në përfundim të hetimeve do të jepet një njoftim më i plotë për rastin", thuhet në njoftimin e policisë.


