POLITIKË /

"Balla luan bixhoz në mes të Brukselit", Kapri: E rëndë që policia heton 'review negative' tek klientët e Ramës

Kapri ngriti pyetje mes të tjerash nëse kompanitë e rojeve private të cilave iu hoq licenca pas ngjarjes së Zvërnecit, vijojnë të operojnë duke ndryshuar emrat.

Shkruar nga Versus

"Balla luan bixhoz në mes të Brukselit", Kapri: E

Kuvendi nisi seancën plenare sot në orën 10:00, ndërsa Partia Demokratike edhe këtë herë zgjodhi të bojkotonte. Fjalën e mori deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri i cili kritikoi kryeparlamentarin Niko Peleshi për faktin se kërkesat e tyre për interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari nuk ishin pranuar.

Kapri tha se përveç pyetjeve për Rrjollin e Zvërnecin, ai kishte në plan të pyeste ministrin për faktin se kompanive të sigurimit privat të cilave iu hoqën licencat pas ngjarjes në Zvërnec, thjesht kishin ndryshuar emrin dhe kishin vijuar me operimin.

“Ajo që donim të thonim në këtë interpelancë me ministrin e Brendshëm i cili e kalon kohën duke sulmuar individë të nderuar që flasin për protestën dhe nuk merret me policinë e shtetit që ka dalë nga shinat e ligjit. Teksa po vija këtu në parlament kishte rrethuar gjithë Kuvendin me blinda ndërsa nuk kishte asnjë protestues aty. Pse? Se u trembët nga veza ju. Si mundet që mos ta pyesnim për këtë gjë ne ministrin? Po edhe për Zvërnecin patjetër, sepse kur ndodhi dhuna në Zvërnec ju hoq licenca atyre kompanive që morën zvarrë qytetarët, ka raportime serioze që të njëjtat kompani thjesht kanë ndryshuar emrin. Për këtë donim t’ju pyesnim juve zoti ministër. Dhe për Rrjollin ku janë rrahur banorët për muaj me radhë dhe u tërhiqnin zvarrë nga policia”- tha Kapri mes të tjerash.

Teksa dënoi dhunën e policisë ndaj protestuesve, Kapri ironizoi edhe deputetin Taulant Balla i cili pak ditë më parë u shfaq në Bruksel duke luajtur me letra bixhozi.

“Sjellja e policisë së shtetit në raport me protestuesit është e patolerueshme. Teksa kryeministri ka lëshuar gojën duke i quajtur shqiptarët nazistë, policia juaj po vepron si gestapo. Nëse veza është akt dhune, ju qofshi! Është akt civil dhe ata që janë goditur me vezë, turpi për ta. Le të bëjnë xhiro në gjithë Tiranën dhe të shikojnë portretet e tyre që janë ngjitur në koshat e plehrave. Sidomos për ju zoti Balla, janë mbushur koshat e plehrave me portretin tënd. Shëtit në Tiranë se mund ta shikosh, mund të gjesh qetësi vetëm në Bruksel ku shkon e luan bixhoz në mes të Brukselit”- nënvizoi deputeti.

Ndërsa tha se nuk mund të quhet “europiane” policia që heton shqiptarët që lënë komente negative në faqet e bizneseve të disa biznesmenëve që kanë dalë kundër protestuesve.

“Kalojmë prapë tek policia, tërheqin zvarrë, gazi lotsjellës, dhuna me shkelma, goditja nëpër komisariate. Kësaj i thoni ju polici europiane? Ç’është më e rënda është se ka nisur hetimi për 10 mijë shqiptarë që flasin lirshëm në internet dhe u fusin nga një “revieë negative” klientëve të Ramës”- shtoi deputeti mes të tjerash. Versus.al

Poll