Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli për çështjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku, duke theksuar se nuk do të merret direkt me procesin në Parlament deri në marrjen e raportit të Këshillit të Mandatave.
Rama zbuloi se Balluku i kishte dorëzuar dorëheqjen tre herë, që nga momenti kur iu ngrit akuza për pabarazi në tendera. Ai sqaroi se nuk bëhej fjalë për akuza për korrupsion.
“Belinda Balluku më dorëzoi dorëheqjen tre herë: herën e parë në mbrëmjen kur iu ngrit akuza, pastaj kur u bë pezullimi dhe më pas një herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Unë e kam refuzuar kategorikisht idenë e dorëheqjes,” tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se qëndrimi i tij ka qenë i qartë që nga fillimi: ministrja duhet të vazhdojë detyrën derisa të përfundojnë procedurat ligjore dhe parlamentare për imunitetin.
Kryeministri Rama:
Nuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, se do pres raportin e Këshillit të Mandative para se të them edhe unë fjalën time shteruese për temën e imunitetit.
Por, dua të ndaj me ju këtu diçka që e kam thënë edhe pa praninë e publikut përmes mediave. Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, qysh në mbrëmjen e ditës që iu ngrit akuza. Jo për korrupsion, se është shumë interesante që ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara për të ndërtuar ato vepra, akuza nuk është për korrupsion.
Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri dorëheqjen kur u bë pezullimi, pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç iu kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes./Versus.al


