Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me draftin e ri të Kodit Penal, duke shprehur shqetësime të thella për përmbajtjen dhe mënyrën e hartimit të tij.
Në një deklaratë publike, BE sqaron se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që ka hartuar draftin, i cili u krijua me iniciativën e qeverisë shqiptare. Aktualisht, projekti po shqyrtohet nga Delegacioni Europian në Tiranë.
“Jemi në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë civile, në lidhje me disa prej ndryshimeve të propozuara,” – thuhet në reagimin zyrtar.
Delegacioni i BE-së thekson se është veçanërisht i shqetësuar për ndikimin negativ që disa dispozita mund të kenë mbi të drejtat e qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, parime thelbësore për një vend që aspiron integrimin europian.
“Këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet e BE-së,” – thuhet në deklaratë, duke nënkuptuar se drafti, në formën aktuale, mund të përbëjë një pengesë për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit.
BE i bën thirrje institucioneve shqiptare që të adresojnë këto shqetësime në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, brenda kuadrit të konsultimeve publike dhe detyrimeve që rrjedhin nga statusi i vendit kandidat për anëtarësim.
“Jemi të bindur se në kuadër të procesit të konsultimit dhe angazhimeve për anëtarësim, këto shqetësime do të adresohen,” – përfundon deklarata. /Versus.al







