
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas monologut të fundit të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim dhe korrupsion në çështjen e Lubi Ballukut, Portit të Durrësit dhe çmimeve të larta të naftës.
“Çështja Balluku nuk mbyllet kurrë dhe është vetëm çështje Rama. Kjo do të mbyllet vetëm me largimin e tij,” tha Berisha, duke theksuar se historia e Lubi Ballukut është kthyer tashmë në një çështje ndërkombëtare dhe se kryeministri nuk mund ta mbyllë atë me një grusht deputetësh në parlament.
Berisha gjithashtu denoncoi planin e Porto Romanos, që Rama pretendon ta zëvendësojë me Portin e Durrësit, duke e quajtur projektin një mashtrim të tmerrshëm. “Porti i vogël që ai ka planifikuar është disa herë më i vogël se Porti aktual i Durrësit dhe mbi 15 herë më i vogël se Porti i Selanikut. Ky është një projekt për të përfituar miliarda, jo për interesin e shqiptarëve,” u shpreh ish-kryeministri.
Një tjetër sulm u bë ndaj çmimeve të naftës: “Çmimi i stratosferik i naftës në Shqipëri nuk ka lidhje me luftën në Lindjen e Mesme. Ky është çmimi Rama, për shkak të taksave më të larta në rajon: 1.1 euro për litër,” paralajmëroi Berisha, duke bërë apel për bashkim qytetar dhe reagim të fuqishëm në zgjedhjet e 22 marsit.
Ai përfundoi mesazhin e tij me një thirrje të qartë: shqiptarët dhe bota duhet të mësojnë se nuk pajtohen më me “kryehajdutin” dhe qeveritarin pa moral dhe standarde”, duke nënvizuar rëndësinë e një përgjigjeje përfundimtare nga qytetarët më 22 mars.
Ky reagim i Berishës vjen në një kohë tensioni të lartë politik, ku debati mbi korrupsionin, menaxhimin e portit dhe çmimet e naftës mbetet temë kryesore në Shqipëri.


