Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të rënda politike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë si një akt të imponuar nga qeveria dhe një goditje fatale ndaj shtetit ligjor.
Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha deklaroi se Rama ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer vendimin në atë që ai e përshkroi si “një licencë për vjedhje” për kryeministrin, familjen dhe ministrat e tij. Sipas tij, ky vendim nuk është produkt i pavarësisë së drejtësisë, por është “shkruar në zyrën e Edi Ramës”.
Berisha theksoi se anulimi i pezullimit të Ballukut i ka dhënë asaj kohë të mjaftueshme për të manipuluar apo zhdukur prova, duke e konsideruar këtë si një akt që tejkalon çdo praktikë normale të sistemit gjyqësor shqiptar. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese nuk kishte asnjë tagër ligjor për të hequr një masë sigurie pa u shqyrtuar më parë nga shkallët e tjera të gjyqësorit.
Në deklaratat e tij, kreu i PD e akuzoi Gjykatën Kushtetuese se është shndërruar nga një institucion që garanton të drejtat e qytetarëve, në një mekanizëm që, sipas tij, “autorizon grabitjen e taksave dhe pasurive publike”.
Berisha u ndal edhe te mungesa e një urdhër-arresti për Ballukun, duke pretenduar se kjo ndodhi sepse Rama nuk do të pranonte kurrë arrestimin apo heqjen e imunitetit të saj. Ai e krahasoi situatën me rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke thënë se edhe atëherë arrestimi u bllokua dhe kontrolli i banesës u vonua, çka sipas tij çoi në zhdukjen e provave.
Sipas Berishës, pas këtij vendimi Rama dhe ministrat e tij nuk kanë më asnjë kufizim real nga drejtësia dhe janë të sigurt se nuk do të përballen me akuza që mund t’i dëmtojnë. Ai e cilësoi këtë si një moment kritik, ku lufta kundër korrupsionit ka marrë një goditje shkatërrimtare.
Në fund, Berisha paralajmëroi se kjo situatë kërkon reagim qytetar dhe politik, duke theksuar se shpresa e vetme përballë, sipas tij, kapjes së drejtësisë dhe korrupsionit të pushtetit, mbetet vullneti i qytetarëve për të mos u pajtuar me këtë realitet./VERSUS

