Sot Kuvendi është mbledhur për të votuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për rindërtimin e Gazës. Në këtë organizatë të re të themeluar nga Trump, janë ftuar dhjetëra shtete mes të cilave edhe Kosova.
Por kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nuk u përmbajt aspak në elozhe duke e konsideruar ftesën për Bordin e Paqes jo thjesht për t’i dhënë legjitimitet një organizmi të ri ndërkombëtar, por si një provë se Shqipëria mban rol udhëheqës për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Fakti që Shqipëria ftohet si anëtare themeluese i jep vendit tonë rol aktiv dhe rikonfirmon rolin udhëheqës për paqe e stabilitet që Shqipëria ka në rajonin e Ballkanit Perëndimor”- tha Balla.
Sipas tij, kjo ftesë duhet të nderojë të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
“Ftesa për t’ju bashkuar Bordit të Paqes rrit ndjeshëm profilin dhe vizibilitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe dërgon mesazh të fortë, Shqipëria jonë e përbashkët eksporton vetëm stabilitet dhe nuk konsumon aspak stabilitet. Kolegë, kjo ftesë është padyshim një ndër nderet më të mëdha për Shqipërinë e shqiptarët anë e mbanë globit kudo që ata punojnë e jetojnë”- shtoi Balla. Versus.al

