Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 4 – “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, një hap i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë zhvillim si një moment domethënës dhe dëshmi e progresit konkret të vendit drejt integrimit europian.
“Shqipëria nuk ndalet. Një tjetër hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE,” – shkruan Kryeministri, duke theksuar se ky vendim i vendeve anëtare konfirmon përgatitjen tonë dhe vullnetin për të përmbushur standardet europiane.
Grupkapitulli i miratuar për negociata përfshin katër fusha kyçe që lidhen ngushtësisht me zhvillimin e qëndrueshëm:
1. Mbrojtjen e mjedisit
2. Ndryshimet klimatike
3. Energjitë e rinovueshme
4. Transportin dhe lidhjet e qëndrueshme
Rama nënvizoi se progresi në këto fusha do të përkthehet në përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve, mbrojtje më të mirë të natyrës, dhe përafrim me politikat më moderne të BE-së për zhvillim të qëndrueshëm.
Hapja e këtij grupkapitulli shënon një nga zhvillimet më të rëndësishme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, duke e vendosur fokusin tek qëndrueshmëria mjedisore dhe energjetike, një nga prioritetet kryesore të Bashkimit Europian në dekadën e ardhshme. /Versus.al/







