Mbrëmjen e djeshme emisioni “Piranjat” publikoi një rast skandaloz të kryebashkiakes në detyrë të Tiranës Anuela Ristani e cila rezultonte se makinën e bashkisë e kishte vendosur në dispozicion të familarëve të saj.
Ristani përkundër pyetjeve që i bëheshin nga gazetari, nuk pranoi të përgjigjej por reagoi me fyerje ndaj tij. Kjo ka sjellë edhe një solidarizim nga gazetarja Ola Xama.
Duke e cilësuar reagimin e Ristanit në të njëjtin nivel arrogance me atë të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, ndërsa tha se duhet të kërkojë falje publike mbi sjelljen e treguar.
Reagimi i plotë i Ola Xamës:
Mbi etikën në media dhe një solidarizim me kolegët e emisionit Piranjat.
12 vjet më parë, një nga ngjarjet që u mbajt për javë me radhë në qendër të mediave ndërkombëtare ishte një video që tregonte se kryeministri i Anglisë David Cameron harroi në pub vajzën e tij 8-vjeçare.
Të gjitha mediat, përfshi dhe televizionin publik BBC Neës e raportoi si lajm, duke zbatuar të gjitha standardet mediatike. Video mbulonte imazhet dalluese të vajzës, tregonte ngjarjen dhe itinerarin si ndodhi dhe merrte ekspertë të cilët jepnin statistika sa të shpeshta ishin këto raste mes prindërve. Në fund ishte kontaktuar dhe çifti Cameron të cilët thanë “se u ndjemë të lehtësuar që e gjetëm e që kjo mund t’i ndodhë kujtdo”.
Paralelisht një debat shumë i madh u shtrua për diskutim në media: A mundet që një fëmijë 8-vjeçar të vihet për 1 muaj në qendër të raportimeve vetëm se babai i saj është kryeministër? Përse nuk ishin subjekt i raportimeve të ngjashme mijëra fëmijë që u ka ndodhur e njëjta gjë? Përse duhet të rrezikohen trauma psikologjike te një minoren dhe të cënohej privatësia se si një familje kalon pasditen e saj?
Këto pyetje u rrëzuan me të tjera pyetje: A përbën interes për publikun fakti që kryeministri harron në pub fëmijën e tij? A kemi të bëjmë me një kryeministër të papërgjegjshëm në qeverisje, kur ai është i tillë në jetën familjare?
Kjo ngjarje mu kujtua nga ajo që po ndodh orët e fundit me investigimin që transmetoi dje emisioni Piranjat. Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, bashkëshorti dhe fëmija e saj, përdorin 3 automjete dhe 3 shoferë të paguar me paratë publike për nevoja personale. E vënë përballë këtij fakti, në vend që të kërkojë ndjesë apo të japë një sqarim njerëzor mbi rrethanat familjare që e kanë detyruar të bëjë këtë abuzim, znj. Ristani nis të fyejë gazetarin!
Asnjë ndryshim për nga niveli i arrogancës me parardhësin e saj, asnjë përgjegjësi- përkundrazi, bën deklarata që nxisin gjuhë urrejtje ndaj gazetarëve dhe misionit të tyre. Edhe pas transmetimit të emisionit nuk kishte reflektim, por kërcënim për hetime penale se i është përndjekur dhe cënuar jeta private e fëmijës.
Nëse znj. Ristani do të ishte e shqetësuar për fëmijën, nuk do të përdorte atë gjuhë përpara kamerave se do të ç’eduktonte fillimisht fëmijën e saj. Nëse do të ishte vërtet e shqetësuar për të, nuk do t’i mësonte se si vidhet dhe abuzohet me fondet e shtetit që minoren.
Por tema këtu nuk është morali që tenton të na komunikojë ajo, e as morali që duhet t’i bëjmë ne një nëne, qoftë dhe kur është kryetare bashkie. Pika kryesore këtu është se me fondet publike fëmija i saj shoqërohet në shkollë, bashkëshorti në punë dhe vetë ajo në palestër. Pra logjika e kësaj familje është që fëmijës nuk ka përse t’i shkelet privatësia se mamaja e tij ka post publik, por mund të përfitojë nga benefitet e pushtetit dhe t’i falet çdo abuzim sepse është minoren!
Me sa pashë, Piranjat kishin zbatuar çdo standard etike. Çdo fjalë në tekst ishte e faktuar me pamje dhe dokumenta, ishin pyetur të dyja palët, znj.Ristani dhe bashkëshorti dhe ishin shmangur pamjet që tregonin shoqërimin e fëmijës. Personalisht po të isha në vend të znj. Ristani në deklaratë do të nxisja këto standarde gazetarie.
Çështja është se zyrtarët këtu te ne nuk duan që gazetaria të ketë standarde, sepse kur nuk ka standarde, pushteti e kontrollon më mirë. Në vitet 50’ në Angli, stafi i kryeministrit Clement Attlee e tregonte si anekdodë kur pyetej se cila ishte frika më e madhe e tij, “Gazetat në mëngjes- thonin.” Ndaj ky është dallimi mes medias së lirë dhe asaj të kapur: kur media është e lirë të rrëzon nga pushteti, e kur kapet të mban. Kush del nga kjo radhë sulmohet me çdo formë, ndonjëherë drejtpërdrejt nga pushteti e ndonjëherë duke përdorur vetë gazetarët. Versus.al







