
Pasi PS ka zyrtarizuar kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kreun e bashkisë së Tiranës, pritet kundërpërgjigjia e Partisë Demokratike për një figurë që do të synojë të marrë drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.
I pyetur nëse PD e ka gati një person të tillë, deputeti Belind Këlliçi përmendi në emisionin “Quo Vadis” emrat e Ilir Alimehmetit dhe deputetes Jorida Tabaku të cilët sipas tij i kanë të gjitha mundësitë për ta mundur Manastirliun në një garë të ndershme.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Borakaj: Keni ju në figurë sot?
Këlliçi: Po patjetër që po janë disa.
Borakaj: Cilët?
Këlliçi: Është Ilir Alimehmeti, i cilli ka qenë kandidat edhe përballë meje brenda partisë.
Bregu: Mesa di unë Alimehmeti nuk e ka më ambicie.
Këlliçi: Kjo do të jetë pjesë e strukturave.
Borakaj: Je me teorinë e Agron Shehajt?
Këlliçi: Jam me gjysmëteorinë e Agron Shehajt. Do të duhet një figurë politike e dakordësuar.
Myslimaj: PD e ka të vështirë t’i bëjë bashkë partitë e vogla.
Këlliçi: Ne flasim për parti që kanë në sfond partitë e vogla që duan rrëzimin e Ramës. Unë mendoj se zoti Alimehmeti ka staturën për të dhënë më të mirën. Zonja Jorida Tabaku po ashtu.
Borakaj: Ju kë medoni se ju përfaqëson më mirë?
Këlliçi: Nuk e them dot unë personalisht. Por po them nëse vjen çështja te emrat, ka emra sa të duash që kanë mundësinë për të mundur Ogerta Manastirliun. Versus.al







