
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ditën e sotme në rrjetet sociale sa i takon projektit të Zvërnecit. Duke publikuar një video nga fdeklarata e komisioneres evropiane, Marta Kos, Rama shkruan se KE është njohur me të gjithë procesin lidhur me projektet e Sazanit dhe Zvërnecit.
“Komisioni Europian është njohur në detaje me procesin e dokumentuar administrativ lidhur me Sazanin e Zvërnecin dhe vetë Komisionerja Marta Kos ka folur qartë për të gjithë ata që duan t’i referohen fakteve”- shkruan ai.
Nga ana tjetër, në deklaratën e saj Marta Kos nënvizon se KE monitorin vazhdimisht situatën dhe se kapitulli i mjedisit është ende i hapur. Për këtë arsye, ajo shton se ka garanci shtesë se mjedisi do të mbrohet dhe se çdo projekt do të jetë në përputhje me standartet europiane.
Në vazhdim tha se është e lumtur kur sheh se e drejta për të protestuar respektohet në Shqipëri.
“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Edi Rama. Sa i përket projektit në zonën Pish Poro-Nartë, ashtu si për të gjitha projektet në Shqipëri, ai do duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standartet e përcaktuara në kapitullin për mjedisin. Përpara se ky kapitull të mbyllet, do të duhet që situata të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij parashikohet përafërsisht në fund të vitit 2027. Roli ynë do jetë të verifikojmë nëse standartet janë përmbushur. Deri atëherë ne i inkurajojmë të vazhdojnë të ndërmarrin hapat për përmbushjen e standarteve të mbylljes së kapitullit dhe të ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj europiane.
Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standartet europiane të mjedisit do të respektohen. Ky proces është juridikisht detyrues dhe i nënshtrohet një monitorimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm. Prandaj ai përbën garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standartet europiane. Ju e dini sesa e rëndësishme është për ne e drejta për të protestuar. Ajo është një e drejtë themelore në bashkimin tonë dhe për të gjitha vendet që synojnë të bëhen pjesë e tij. Jam e lumtur të shoh se kjo e drejtë respektohet në Shqipëri”- u shpreh Kos. Versus.al

