Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën e 7-të kombëtare të mbajtur për të drejtën e informimit ku u prezantuan disa prej informacioneve rreth pozicionit të Shqipërisë në treguesit e transparencës dhe të drejtës së informimit.
Rama tha se ai u ka kërkuar ministrave që të jenë sa më transparentë për të mos lejuar krijimin e dyshimeve apo të teorive konspirative lidhur me një çështje të caktuar. Ndërsa bëri me dije se do ketë edhe një projekt të quajtur "Transparent Albania" ku mund të gjenden dokumentet për veprimtarinë e institucioneve të caktuara.
“Jam dakord se qasja e hapur nuk është kërcënim dhe kjo është diçka që e predikoj vijimësisht edhe në tryezën e qeverisë dhe të gjitha rastet kur flasim për këtë aspekt. Ngurrimi për të ndarë informacionet administrative është absurd. Dhe vetëm pengon apo dëmton më shumë sesa mbron pasi krijon edhe sens dyshimi dhe atmosferë konspiracioni. Në mbledhjen me qeverinë e kemi theksuar për të gjithë anëtarët e kabinetit që të ketë fokus më të madh në këtë aspekt sepse është në të mirën e të gjithëve.
Prandaj ne kemi shtyrë përpara edhe projektin e Transparent Albania që është një projekt shumë ambicioz për të pasur në një territor të vetëm virtual të gjithë informacionin. Kjo do të lehtësonte ndërveprimet e të gjithë kërkuesve të informacionit pasi do ishte një dritare ku institucionet do të duhet të publikojnë aktivitetin e tyre dhe kushdo mund të hyjë aty pa kaluar në kërkesa, refuzime, zvarritje etj. Ka edhe elemente të tjera që një pjesë e konsiderueshme e këtyre problematikave në formë shifrave lidhet me përtacinë burokratike. Nuk është barrikadë për të mbajtur programacion, por mekanizëm i brendshëm i funksionimit të administratës. Kjo është e përmirësueshme. Përmirësohet më pak sesa do të prisnin ato që shikojnë gotën gjysmën bosh”- tha Rama.
Ndërsa më tej shtoi se duhet të ketë sanksione edhe për ministrat në rast se nuk zbatohet ligji që të kthejnë përgjigjie brenda 10 ditëve ndaj kërkesës për informacion.
“Për të qenë shumë transparent, unë i kam bërë komisionerit një vërejtje që ka një gjë të munguar në veprimtarinë e komisionerit që është mungesa e sanksioneve për autoritetet më të larta. Ligji është shumë i qartë, 10 ditë është koha për t’u përgjigjur. Ditën e 11-të nëse nuk përgjigjet ka sanksion. Duhet sanksionuar autoriteti më i lartë përgjegjës. I kemi kërkuar ministrave ta delegojnë këtë përgjegjësi tek sekretariati përgjegjës. Nëse kjo do ndodhë në mënyrë të përsëritur, jam i bindur se do krijohet një ndjesi urgjence e barabartë me urgjencën me të cilën punon sektori i gotës gjysmë bosh”- shtoi Rama. Versus.al

